Autoritetet shëndetësore në vend po shqyrtojnë seriozisht mundësinë e blerjes së vaksinave kundër Covid-19 nga prodhuesit kinezë “Sinovak” dhe “Sinofarm”. Informacionin e konfirmoi ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, i cili në intervistën e sotme për emisionin “360 gradë” në TV Alsat tha se me ndihmën e Ambasadës kineze në vend, tashmë kanë krijuar kontakte me prodhuesit e vaksinave.
“Jemi duke pritur për detaje në lidhje me kontratën, në lidhje me çmimin dhe dorëzimin dhe besoj se deri në fund të kësaj jave do t’i kemi të gjitha këto detaje. Tani nuk do të doja të flisja për afatet, por thelbi është se është e qartë që prodhuesit të cilët së pari arritën të hyjnë në treg, flasim për Pfizer, për shembull, kanë probleme me kapacitetin. Shumë vende evropiane kanë paralajmëruar padi për mospërmbushje të marrëveshjeve, Kroacia do të ndërpres procesin e imunizimit dhe kjo është diçka që na bën të punojmë praktikisht në të gjitha fushat për të siguruar një proces integral, pa pushim, që nga momenti i fillimit të imunizimit, natyrisht me të gjitha vaksinat e sigurta”, tha mes tjerash ministri Filipçe.





