Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, sot së bashku me ministrin e Forcës të Sigurisë së Kosovës, Armend Mehaj dhe Gjeneral lejtnant, Rrahman Ramën, kanë inspektuar Urën e Dobroshecit, dhuratë e FSK-së për qytetarët e kësaj ane.
Ministri Mehaj me Komandantin e FSK-së, Gjeneral Lejtnant Rrahman Ramën, Komandanten e Policisë në Drenas, Feime Bajramin dhe kryetarin Lladrovci kanë bërë nderime dhe vendosën lule para shtatoreve të heronjve dhe heroinës në Sheshin “Fehmi Lladrovci”.
Z. Lladrovci ka shkruar se vizita e Ministrit Mehaj i solli edhe emocione të veçanta, sepse prindi i Ministrit, ka qenë shok me heroin Fehmi Lladrovci. “Nderimi im për Ministrin Mehaj, mori dimension shtesë”, ka cekur Lladrovci.
Postimi i plotë i Ramiz Lladrovcit:
Me Ministrin e Forcës të Sigurisë së Kosovës, Armend Mehaj dhe Gjeneral lejtnant, Rrahman Ramën, kemi inspektuar Urën e Dobroshecit që është dhuratë e çmuar për qytetarët tanë nga Forca e Sigurisë së Kosovës.
Pas vërshimeve, kemi kërkuar ndihmë nga FSK-ja për ngritjen e kësaj ure. Regjimenti i Xhenios, në kuadër të Gardës Kombëtare të FSK-së, u mor me planifikimin dhe ekzekutimin e punimeve në këtë urë që do të jetë në shërbim të qytetarëve.
Ura “Mabey Johnson” ka gjatësi 36 metra dhe i plotëson të gjitha standardet për qarkullim të qytetarëve të kësaj ane.
E falënderova Ministrin Mehaj për këtë punë të shkëlqyer, duke ritheksuar se FSK-ja na doli në ndihmë e para pas vërshimeve. FSK e dëshmoi si çdo herë se është trashëgimtare e UÇK-së, është zemra e shtetit tonë.
Po ashtu, së bashku me Ministrin Mehaj, me Komandantin e FSK-së, Gjeneral Lejtnant Rrahman Ramën dhe Komandanten e Policisë në Drenas, Feime Bajramin, kemi bërë nderime dhe vendosëm lule para shtatoreve të heronjve dhe heroinës në Sheshin “Fehmi Lladrovci”.
Vizita e Ministrit Mehaj më solli edhe emocione të veçanta, sepse prindi i tij Kadriu, ka qenë shok me heroin Fehmi Lladrovci. Nderimi im për Ministrin Mehaj, mori dimension shtesë, sepse, heronjtë tanë ishin të mëdhenj edhe për veprat e tyre, edhe kujtimet e miqësitë që na kanë lënë gjithandej trojeve tona.
Faleminderit Ministër!
Faleminderit FSK, krenaria jonë!