Kryeministri Albin Kurti ka uruar 28 Nëntorin, Pavarësinë e Shqipërisë, me projektin i cili do të implementohet në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Shefi i ekzekutivit tutje ka shkruar se nuk do të kursejnë asgjë për të ndërtuar kompleksin memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, që sipas tij, e pasqyron luftën e popullit për liri, pavarësi dhe bashkim.
“Ky 28 Nëntor na gjen me projektin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Në këtë vend të shenjtë që ruan gjurmët e veprës heroike të Familjes Jashari, ne kthehemi e rikthehemi që të kujtojmë çmimin e lirisë të cilën e gëzojmë sot. Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, i cili do të pasqyrojë dinjitetshëm dhe me një nivel të lartë artistik, qëndresën dhe luftën e popullit për liri, pavarësi dhe bashkim, ashtu siç e meriton figura e Adem Jasharit dhe e Familjes Jashari. Gëzuar 28 Nëntori!”, ka shkruar Kurti.
Shqipëria feston 112-vjetorin e Pavarësisë.