Kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar se tashmë janë bërë arrestimet e para në lidhje me sulmin terrorist të mbrëmshëm në Zubin Potok.Në orët e para të mëngjesit kanë nisur bastisjet në disa lokacione lidhur me sulmin në kanalin e Ibër Lepencit.“Policia po i zhvillon hetimet. Ka kryer bastisje, ka edhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminelë e terroristë do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republiëks Demokratike të Kosovës” – ka thënë Kurti nga vendi i ngjarjes.
Sipas informacioneve që posedon KALLXO.com janë intervistuar nga policia më shumë se pesë persona në lidhje me rastin e vendosjes së mjetit shpërthyes në digën e Ibër-Lepencit në Zubin Potok.Kurti shtoi se nga çfarë ka parë në vendngjarje, nuk ka mundësi që sulmi të jetë bërë nga një a dy individë, por nga një organizatë profesioniste.“Ky ishte sulmi i tretë, kishte edhe dy sulme të tjera në 72 orët e fundit. Këto sulme janë kryer nga profesionistë. Unë e pashë në vendin e ngjarjes, nuk ka mundësi këtë ta bëjë një individ apo dy, nuk ka mundësi që këtë ta bëjë qytetarë të zakonshëm, e ka bërë një organizatë që është e profesioniste në sulmet të tilla profesioniste dhe aftësinë, kapacitetin dhe interesin për një gjë të tillë e ka veç Serbia” – tha ai.





