Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me temën “Sfidat dhe përmirësimi i funksionimit të zyrave komunale për komunitete dhe kthim”.
Sipas një komunikate për media nga Zyra e Kryeministrit, në fjalën e tij para përfaqësuesve të shumtë institucionalë vendorë e ndërkombëtarë, Kurti tha se gjatë qeverisjes më shumë se katër vjeçare, ndërtimi i politikave të cilat e lehtësojnë jetën dhe qasjen e komuniteteve joshumicë dhe e bëjnë të ndjeshme dorën e shtetit, kanë qenë lart në prioritetet e tyre.
Ai më tej shtoi se gjatë këtyre katër vjetëve janë zhvilluar 9 takime me zyrtarët komunalë për Komunitete dhe Kthim, andaj kjo tryezë sipas tij, është edhe një moment përmbledhës, për të parë pas në kohë, e për të shqyrtuar ato se çfarë kanë arritur si qeveri në këtë mandat, si dhe për të reflektuar nga takimet e bisedat e shumta me anëtarë të komuniteteve joshumicë.
“Ministria për Komunitete dhe Kthim, me në krye Nenad Rashiq, ka kontribuar në ndarjen e granteve për fermerë, ndërmarrës të rinj, për organizata joqeveritare për projekte për komunitete, ka financuar mbi 400 projekte për përfituesit nga komunitetet nga fusha e edukimit, kulturës, sportit, shëndetësisë, në vlerë të gjithmbarshme prej 1,4 milionë euro. Për të ndikuar pozitivisht në jetën e komuniteteve, janë ndërtuar dhe rinovuar mbi 170 shtëpi për të siguruar kthim të qëndrueshëm dhe integrim për komunitetet joshumicë, si dhe janë ndërtuar 34 apartamente për familje përfituese që kanë jetuar në qendra kolektive për Banorët e Qendrave Kolektive në Kosovë”, tha kryeministri në detyrë.
Kryeministri në detyrë me këtë rast theksoi se në bashkëpunim me komunat, Ministria për Komunitete dhe Kthim ka realizuar 14 projekte infrastrukturore për komunitetet joshumicë, ka rritur subvencionet për pajisje efiçiente dhe ka nxitur punësimin përmes programit “Kosova Generation Unlimited”, si dhe masave të punësimit si ajo për deri në 2 mijë banorë të komunave Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan, dhe veri i Mitrovicës, njofton ZKM.
Ndërkaq, sipas njoftimit, Kurti shtoi se në kuadër të projektit “Komunat për të rinjtë”, kanë përkrahur 3 mijë të rinj nga komunitetet joshumicë dhe organizatat joqeveritare në përfitimin e aftësive në menaxhimin e projekteve. “Janë regjistruar 819 biznese të reja në komunat veriore të vendit, si dhe në infrastrukturë ndamë 3.9 milionë euro për rrugë në vendet e banuara me komunitetet joshumicë në këto komuna: Dragash, Graçanicë, Istog, Kllokot, Mamushë, veri të Mitrovicës, Novobërdë, Partesh, Prizren, Ranillug dhe Shtërpcë”, thuhet në njoftim.
“Mirëpres diskutimet që do të zhvillohen në këtë tryezë, me optimizmin se nga ky takim do të dalim me më shumë ide se si të zhvillojmë iniciativa të reja, ta forcojmë bashkëpunimin e ta rrisim zbatimin që të kontribuojmë për të mirën e përbashkët. Sepse komunitetet janë pjesë e jona, pjesë e shoqërisë, dhe duhet ta bëjmë maksimumin jo vetëm që secila e secili të ndihet i integruar në sferat shoqërore, por edhe të jetë në kushtet e përshtatshme që të japë kontributin e vet, të përfitojë për vete e për familjen, dhe të lë gjurmë në zhvillimin e shtetit tonë të përbashkët” tha Kurti.
Sipas ZKM-së, Kurti përfundoi fjalën e tij duke shprehur se “qeverinë do ta kenë përherë përkrah kudo, siç e kanë pasur edhe në këto më shumë se katër vite të mandatit qeverisës”.
Kjo tryezë e rrumbullakët u organizua nga Asociacioni i Komunave të Kosovës me mbështetjen e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Misionit në Kosovë.
