Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka dhënë detaje nga takimi i së mërkurës me pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese.
Ai ka thënë se kanë diskutuar gjatë për kërkesat e tyre, porse ka insistuar se kategorizimi dhe vlera e shtesave, me të cilat ata nuk janë pajtuar, është bërë me kujdes të shtuar, duke mos treguar nëse është arritur marrëveshje.
Tutje ka njoftuar se shtesat për rrezikshmëri do të fillojnë implementimin nga muaji nëntor.
“Dje kishim takim me pjesëtarë të NJSI-së me të cilët diskutuam gjatë për kërkesat e tyre, në takim i njoftuam dhe siguruam ata që kategorizimi dhe vlera e shtesave është bërë me kujdes të shtuar. Jemi dhe do të vazhdojmë të mbetemi të përkushtuar me përmirësimin e kushteve për Policinë e Kosovës. Ky përkushtim reflektohet edhe në projektbuxhetin e MPB-së. Shtesa për rrezikshmëri do të fillojë të implementohet nga muaji nëntor”, ka thënë ai.
Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se komisioni për kushte specifike të punës ka dorëzuar listat përfundimtare.
“Me ligjin për paga të sektorit publik ekzistojnë edhe kufizime sa i përket shtesave. Shtesat e miratuara janë në lartësi 7.6 milionë euro. Konsiderojmë që është bërë një punë e jashtëzakonshme në mënyrë që të sigurohemi që ka shpërndarje të drejtë”, ka thënë ai.