LAJME

Kurti: Identifikohen me ADN tri viktima nga “Grupi i Intelektualëve”

Kurti: Identifikohen me ADN tri viktima nga “Grupi i Intelektualëve”
TV Prizreni
TV Prizreni
19 Shtator 2026, 11:58

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se janë pranuar tri raportet e para të ADN-së nga mostrat e mbetjeve mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut. Sipas Kurtit, analizat kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave, të cilat lidhen me grupin e njohur si “Grupi i Intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer dhe zhdukur me dhunë më 19 prill 1999.

Kurti ka bërë të ditur se raportet e ADN-së janë përcjellë te Instituti për Mjekësi Ligjore, ndërsa përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe të Institutit kanë njoftuar familjet e tri viktimave të identifikuara.

Ai ka thënë se në ditët dhe javët në vijim priten edhe rezultate të tjera nga mostrat e dërguara për analizë, me shpresën se edhe familjet e tjera do të marrin përgjigjet që presin prej 27 vitesh.

Sipas të dhënave të publikuara më herët nga Qeveria, gjatë gërmimeve në tri lokacione në Kalludër dhe Jabukë janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave. Nga këto, 13 persona lidhen me një lokacion në Kalludër, katër me lokacionin në Jabukë dhe gjashtë me një tjetër lokacion në Kalludër.

Kurti ka rikujtuar se më 27 korrik ishte konfirmuar gjetja e varrit masiv në Kalludër. Ai ka kërkuar nga faktorët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian, që të shtojnë trysninë ndaj Serbisë për zbatimin e zotimeve lidhur me personat e zhdukur dhe për hapjen e arkivave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të tyre.

Ndërkohë, kryeministri në detyrë ka theksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë kërkimet në terren, mbështetjen për procesin e identifikimit dhe komunikimin me familjet e personave të zhdukur.

“Zbardhja e fatit të çdo personi të zhdukur me dhunë është prioritet shtetëror i Republikës së Kosovës dhe detyrim njerëzor, që mbetet i hapur për sa kohë qoftë edhe një familje pret përgjigje”, ka deklaruar Kurti.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika