Kryeministri në largim i Kosovës, Albin Kurti, ka informuar dhe denoncuar në një letër drejtuar përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, shtypjen sistematike që regjimi serb dhe Beogradi zyrtar po ushtrojnë ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Kurti ka theksuar se shqiptarët në këtë rajon përballen me diskriminim politik, administrativ, ekonomik, kulturor dhe identitar, duke rrezikuar sigurinë dhe ekzistencën e tyre. Ndërsa në Kosovë, siç ka shkruar Kurti, komuniteti serb gëzon të drejta dhe liri, shqiptarët në Serbi po përballen me pasivizim të adresave dhe spastrim etnik administrativ.
Sipas Kurtit, mbi 10 për qind e shqiptarëve janë fshirë nga listat e votuesve, duke u privuar nga e drejta për të votuar, ndërsa papunësia në zonat e banuara me shqiptarë varion nga 30 deri në 70 për qind, shumë më e lartë se mesatarja e Serbisë prej 12 për qind.





