Ndikimet e drejtpërdrejta pritet të jenë thelbësore edhe për biznesin, që synon të rrisë investimet, njëherësh edhe fitimet
Qeveria e Shqipërisë ka ndryshuar legjislacionin për hekurudhën shqiptare. Ajo parasheh ndarjen në tri struktura mbikëqyrëse apo edhe të rregullimit të qarkullimit në to, të kësaj hekurudhe.
Katër projektligje, pjesë e paketës ligjore për transportin hekurudhor në Shqipëri, janë paraqitur dhe miratuar në Komisionin parlamentar të Integrimit Evropian, duke hapur mundësinë e investimit për lidhjen hekurudhore të Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe me Kosovën.
Etjen Xhafaj, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, si dhe stafi teknik i MIE-së kanë qenë të pranishëm në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Integrimit Evropian të enjten. Aty u prezantuan risitë, qëllimet dhe objektivat e projektligjeve “Për krijimin e Autoritetit të Sigurisë Hekurudhore”, “Për krijimin e Autoritetit Rregullator Hekurudhor”, “Për ndarjen e shoqërisë ‘Hekurudha shqiptare’” dhe “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Autoritetit Kombëtar të Investigimit të aksidenteve dhe incidenteve hekurudhore dhe detare”.
Xhafaj ka sqaruar se projektligjet janë pjesë e një pakete ligjore në kuadër të reformës së derregulimit dhe projekteve të asistencës teknike të BE-së në lidhje me sektorin hekurudhor. Ka thënë se pakoja e ligjeve është hartuar në parimet e hapjes së tregut dhe sigurimin e zhvillimeve teknologjike për transport të sigurt.
Zëvendësministri Xhafaj ka sqaruar më tej se krijimi i organeve rregullatore hekurudhore do të bëjë të mundur rritjen e iniciativave të subjekteve private të vendit dhe të atyre të huaja për të marrë pjesë me investime në këtë treg.
Me këtë ndërhyrje në legjislacion, Qeveria e Shqipërisë krijon mjedisin që sektori hekurudhor shqiptar të përfshihet në hartën e investimeve që do të bëjë BE-ja për korridoret hekurudhore, përfshirë edhe hekurudhën që do të lidhte Shqipërinë me Kosovën.
Me mbështetjen financiare të BE-së është realizuar studimi i fizibilitetit i gjithë rrjetit hekurudhor shqiptar dhe lidhjet e reja me vendet kufitare të Maqedonisë së Veriut, Greqisë dhe një projekt studim-ide për lidhjen hekurudhore me Kosovën krahas lidhjes ekzistuese me Malin e Zi. Janë bërë edhe projektet e rikonstruksion/ndërtimit të shumë segmenteve të tjera si dhe shumë shpejt do të fillojë rikonstruksioni i linjës Durrës – Tiranë në lidhje me aeroportin ndërkombëtar të Tiranës.
Ndikimet e drejtpërdrejta pritet të jenë thelbësore edhe për biznesin, që synon të rrisë investimet, njëherësh edhe fitimet. Po ashtu, është shumë thelbësore për biznesin që t’i zgjidhë shpejt e me kosto të ulët transportet e volumeve të mëdha të mallrave të ndryshëm si brenda vendit ashtu edhe me vendet kufitare (për momentin realizohet vetëm me Malin e Zi). Nga ky organizim i ri i hekurudhës shqiptare pritet që vendet e punës të jenë të garantuara dhe shtim page nga të ardhurat që krijohen nga vetë ndërmarrjet.
Ndërkohë që krahas uljes së kostos së udhëtimit rritet dhe siguria në udhëtim krahasimisht me transportin rrugor, transmeton Koha, përcjell Albinfo.ch.
Në vitin 2018, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore në Shqipëri ishte 213 persona, dhe në vitin 2019, 227 persona, ndërsa nga transporti hekurudhor shifra ishte 3 për vitin 2018 dhe 1 për vitin 2019.
Rrjeti hekurudhor shqiptar është pjesë e rrjetit kryesor të Rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe ka marrë vëmendjen për vënien në efiçencë të plotë dhe më pas operimin e tij, sipas politikave të transportit të Qeverisë së Shqipërisë, në vijim të implementimit dhe zbatimit të kushteve legjislative dhe teknike evropiane.
Politika e qeverisë shqiptare në sektorin hekurudhor ka si prioritet reformimin e sektorit hekurudhor, për të krijuar një treg të hapur për publikun dhe investitorët privatë. Sfida kryesore mbetet hartimi dhe miratimi i legjislacionit hekurudhor zbatues, në vijim të Kodit të Ri Hekurudhor, i cili do të bëjë të mundur ngritjen e strukturave administrative hekurudhore siç kërkohet nga BE-ja. Në këtë mënyrë synohet të realizohet tipari kryesor i sektorit të ri hekurudhor shqiptar, që është, parimi i lirisë së ofrimit të shërbimeve hekurudhore duke marrë parasysh karakteristikat specifike të sektorit.
Komisionari i BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, dha më 10 qershor në Tiranë lajmin e mirë dhe të përsëritur që bën fjalë për një marrëveshje të arritur në fillim të këtij muaji në Këshillin Evropian për 30 miliardë euro në formë investimesh në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në shtator të vitit kaluar, Várhelyi, është shprehur se brenda mandatit të komisionit aktual do të financohen projektet që do të lidhin të gjitha kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor me autostrada e hekurudhë.
Instituti i Vjenës për studime ekonomike ndërkombëtare në korrik të vitit shkuar i ka rekomanduar Bashkimit Evropian ndërtimin e një rrjeti linjash hekurudhore të shpejtësisë së madhe dhe në të parashikohet edhe përfshirja e Shqipërisë dhe Kosovës.
Ky institut, një organizatë e pavarur jofitimprurëse, ka bërë studime për tregjet dhe ekonominë e vendeve të BE-së dhe të kandidatëve për anëtarësim në Union. Instituti kërkon që Bashkimi Evropian të nisë të investojë në ndërtimin e një rrjeti hekurudhor të shpejtësisë së lartë nga 250 deri në 300 kilometra në orë që të lidhë metropolet si Berlini dhe Parisi edhe më vendet e Ballkanit, si Shqipëria apo Kosova. Linja që propozohet të prekë Shqipërinë do të nisë në Berlin, Çekia, Austria, Kroacia, Bosnja, Mal i Zi, Shqipëri, Kosovë, Bullgari, Serbi, Rumani, Hungari. Një degëzim i kësaj linje propozohet të shtrihet nga Sofja, në Maqedoni, pastaj nga Greqia deri në Qipro. Hekurudha duhet të lidhë qytetet me të zhvilluara të Evropës me vende e pazhvilluara të kontinentit të tilla si Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit. Ndërsa linjat e tjera të propozuara do të lidhin vendet e Baltikut me Spanjën. Nga kjo linjë do të ketë një tjetër që do të zgjatet në Itali dhe një në Britaninë e Madhe. Në pjesën shqiptare, hekurudha e shpejtë do të futet në Shqipëri në Shkodër nga Mali i Zi dhe më pas do të vijojë në Lezhë në krah të Rrugës së Kombit për të hyrë në Kosovë.
Në total, rrjeti i ri hekurudhor i shpejtësisë së lartë parashikohet të jetë 18,249 kilometër e gjatë. Shtrirja e kësaj linje në Ballkanin Perëndimor pritet të jetë 1564 kilometra e gjatë me kosto 49 miliardë eurosh. Në Shqipëri, rrjeti propozohet të ketë gjatësi 304 kilometra, me kosto 7 miliardë euro. Me 2 tetor të vitit kaluar, Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës zhvilluan një mbledhje të përbashkët në Tiranë. Mbledhja e dy qeverive, u përmbyll me nënshkrimin e disa marrëveshjeve dhe protokolleve të bashkëpunimit dypalësh ku pikë e parë ka qenë: “Memorandumi i Bashkëpunimit Ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës të Republikës së Kosovës mbi Bashkëpunimin në Fushën e Transportit Hekurudhor”.