Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës kërkon urgjentisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës që në pagën e 13-të të përfshihen edhe të punësuarit në sektorin privat.
Në një njoftim thuhet se është përgjegjësi e Qeverisë të gjejë formën dhe modalitetet e nevojshme për ta bërë të mundur që edhe të punësuarit në sektorin privat të përfitojnë nga paga e 13-të.
“Në të kundërtën, ne, si Federatë Sindikale, do të përdorim të gjithë mekanizmat sindikalë që na garantohen me ligj, në mbrojtje të të drejtave dhe interesave të të punësuarve në sektorin privat. Punëtorët e këtij sektori nuk mund të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë dhe të mbeten vazhdimisht jashtë përfitimeve që financohen edhe nga kontributi i tyre”, thuhet në njoftim.





