Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari bashkë me ushtruesin e detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, pas takimit me kryeministrin e vendit, Albin Kurti tha se nuk kanë arritur marrëveshje për përfshirjen e veteranëve në Projektligjin për Pagën Minimale.
Jashari tha se kërkuan në takim që të kthehet ligji bazë i veteranit ku përcaktohen beneficionet e tyre.
Ai tutje shtoi se nuk ishte gatishmëri që të reflektojnë dhe se do ta kundërshtojnë fuqishëm Projektligjin për Pagën Minimale, deri në realizimin e së drejtës së tyre.
“I bëmë kërkesë që kundërligjshëm, nga një ligj që nuk është i zbatueshëm, sepse në radhë të parë duhet të bëhet kategorizimi në ligjin e ri dhe e obligon qeverinë që të zbatoj Ligjin me Pagën Minimale në ligjin bazik deri të bëhet kategorizimi i veteranëve të luftës të UÇK-së.
I treguam edhe ministrit që ke bërë shkelje ligjore dhe kërkesa jonë ishte që të kthehet në ligjin bazik, dhe kalkulimi i benefitit të veteranit të llogaritet në bazë të pensionit që është i paraparë në Projektligj të pagës minimale. U pa se nuk ishte gatishmëri që të reflektojnë dhe ne jemi këtu dhe do ta kundërshtojmë fuqishëm deri në realizimin e së drejtës”, ka thënë Jashari.
Ai më tej shtoi se do të presin propozimin me shkrim të kryeministrit Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati.
I pyetur se pse zgjati kaq shumë takimi ai tha: “E presim dhe përgjigjen me shkrim dhe propozimin që do bëjnë kryeministri dhe ministri i Financave. Ishim aty për t’ju thënë se kanë bërë shkelje ligjore.
Folëm dhe për listat e veteranëve. Kemi biseduar se nuk është detyrë e ministrit dhe kryeministrit lista e veteranëve. Unë që jam pjesë e këtij procesi ju thash që shkalla e parë ka vendos pro komisionit se nuk është gjetur shkelje, por presim dhe me ri-gjykim”, tha ai.