Një komision brenda Policisë së Kosovës ia ka hequr dënimin një qytetari që nga Policia e Kosovës ishte ndëshkuar për mosmbajtje të maskës edhe pse ishte i vetëm në veturë.Besim Kodra, anëtar i Bordit për luftimin e koronavirusit në Kosovë, ishte dënuar në fund të tetorit.
Atë kohë ai e kishte cilësuar dënimin arbitraritet të shtetit ndaj qytetarëve.“Më ndalë polici, në periferi të qytetit, vetëm në veturë edhe ma shkruan dënimin për Kundërvajtje! Kundërvajtje është kur dikush e rrezikon një objekt të mbrojtur juridik… ( në këtë rast njeriun). Cilin njeri e kam rrezikuar unë, i vetëm në veturën time private, në periferi të qytetit?! … plus asaj i tregova që kam qenë i infektuar e i shëruar …”, kishte shkruar ai.
Kodra, të mërkurën ka njoftuar se në Policinë e Kosovës është aprovuar kundërshtimi i tij ndaj dënimit dhe se “nuk mund të ketë kundërvajtje nëse nuk rrezikohet objekti i mbrojtur juridik, në këtë rast njeriu”.Në dokumentin e publikuar në Facebook nga Kodra, thuhet se shfuqizohet vendimi i fundit të tetorit si dhe anulohet fletëparaqitja për këtë rast.Dënimet për mosbartje të maskave kishin nxitur reagime të shumta në vend.
Shumë qytetarë ishin ankuar për dënime edhe pse ishin të vetëm nëpër vetura, ndërsa hetimi ishte krijuar edhe pas kontradiktave në shpjegim të masave nga krerë institucionesh. Teksa ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, kishte thënë se qytetarët mund të ecnin pa maska edhe në hapësira publike në kohën sa ishin të vetëm, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kishte kundërshtuar këtë.