LAJME

Gucati: Nëse ndodh e keqja, kjo gjykatë mund ta kënaqë vetëm Rusinë e Serbisë

Gucati: Nëse ndodh e keqja, kjo gjykatë mund ta kënaqë vetëm Rusinë e Serbisë
TV Prizreni
TV Prizreni
16 Shtator 2026, 07:25

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka shprehur optimizmin e tij pak orë para shpalljes së verdiktit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në një prononcim për RTK-në nga Haga, ku ka udhëtuar për të ndjekur drejtpërdrejt seancën, Gucati u shpreh se pret një vendim pozitiv për ish-krerët e UÇK-së, duke theksuar se akuzat ndaj tyre nuk janë të bazuara në fakte.

“Pritjet e mia janë të mëdha, besoj se sot do të gëzohemi të gjithë me këtë qytetarë edhe me juve që jeni këtu. Besoj se verdikti do të jetë në anën tonë, duke pasur parasysh që s’kanë pasur fakte e argumente”, deklaroi Gucati.

Ai kritikoi punën e Deritashme të Dhomave të Specializuara, duke pretenduar se Gjykata ka vepruar nën ndikimin e materialeve të siguruara nga Serbia dhe Rusia, por ka shpresë te prania e madhe e bashkatdhetarëve nga Kosova dhe dita e sotme.

Më tej, Gucati bëri thirrje që Gjykata të marrë parasysh zërin e popullit shqiptar dhe të mos marrë vendime me prapavijë politike.

“Nëse s’është gjykatë politike, veç nëse është gjykatë që do drejtësi, duhet ta dëgjojë zërin e qytetarëve, zërin e një kombi. Kombi shqiptar din të jetë në përkrahje e në mbështetje të krerëve të UÇK-së. Nëse ndodh më e keqja, sot kjo gjykatë mund t’i kënaqë vetëm Rusinë edhe Serbinë. Por unë besoj se kjo gjykatë duhet të jetë e drejtë, jo politike”, shtoi ai.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika