Maqedonia e Veriut ka shkruar historinë në sportin e futbollit.Pas 30 vitesh, Maqedonia e Veriut ka rikthyer lavdinë në futboll, duke arritur të kualifikohet në kampionatin evropian, shkruan GazetaBlic Sport.
Në krye me Goran Pandev dhe me lojtarët shqiptarë si Visar Musliu, Egzon Bejtulai, Enis Bardhi, Arijan Ademi, Ezgjan Alioski dhe Ferhan Hasani, kombëtarja e Maqedonisë po vazhdon me suksese.
Por, pasqyrimi i suksesit dhe promovimi i futbollit të Maqedonisë së Veriut bëhet në mënyrë perfekte nga shqiptari, Faton Zylbehari.Zylbehari është njeriu i cili bën gjithçka që çdo gjë të shkojë pa pengesa dhe në mënyrë të duhur para dhe pas ndeshjeve të kombëtares, duke filluar nga konferencat për shtyp, stërvitjet, intervistat dhe gjëra të tilla.Zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Zylbehari thotë se është krenar që si shqiptarë po bëjnë punë të mirë dhe po përfaqësojnë vlerat tona.
“T’ju them të drejtën ndjehem krenar që si shqiptarë po bëjmë punë pozitive dhe duke parë komentet dhe komplimentet që vijnë nga ju dhe të tjerë, është tregues se mbase në menyrën më të mirë të mundshme përfaqësojmë vlerat tona. Normal, duke qenë se jemi të angazhuar në këto pozicione, tanimë kur edhe përfaqësohemi denjësisht, sigurisht se paraqet satisfaksion për punën që bëjmë”, tha fillimisht Faton Zylbehari për “GazetaBlic Sport”.
Në kampionatin evropian, Euro2020, kombëtarja e Shqipërisë dhe e Kosovës nuk do të paraqiten, pasi nuk arritën të kualifikohen, megjithatë Zylbehari thotë se përmes tyre shqiptarët nuk do të mungojnë në Euro.“Unë e kam thënë gjithmonë se uroj që Shqipëria e Kosova të jenë në Europiane e Botërore, por në kushte kur s’janë, sigurisht se përmes neve edhe shqiptarët nuk do të mungojnë në Euro”, vazhdoi ai.Më pas, zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Maqedonisë Veriore zbuloi se si është atmosfera në shtetin maqedonas pak para ndeshjeve të kampionatit evropian.“Në fakt ndjehet një eufori e madhe gjithandej, por duke pasur parasysh faktin se po jetojmë në kohë pandemie dhe obligohemi të punojmë dhe veprojmë me kufizime, më shumë atmosferën e ndjejmë përmes rrjeteve sociale dhe mediave”.Zylbehari gjithashtu tregoi se ekziston një klimë pozitive tek lojtarët e kombëtares së Maqedonisë para fillimit të garës, ndërsa shtoi se lojtarët besojnë se mund të bëjnë befasinë në “Euro2020”.
“Patjetër se po. Të luash në një event madhor si që është Kampionati Europian është ëndërr për çdo futbollist, posaçërisht për vende si që jemi ne kur nuk është se pjesëmarrjet janë diçka e rregullt. Secili lojtar e shijon maksimalisht suksesin, por interesant ka klimë pozitive se mund të ketë edhe tjera befasi nga kjo skuadër.”Zylbehari ka përjetuar momente të mëdha në karrierë si gazetar dhe si zyrtar i mediave si tek Shkëndija ashtu edhe tek Maqedonia.
Ai thotë se kualifikimi i Maqedonisë së Veriut në “Euro2020” është një nga momentet e tij më të mira në karrierë – teksa shpreson se momenti më i mirë akoma nuk ka ardhur, e që shpreson që do të vijë shpejtë.“Hmm, se dij, pa e ekzagjeruar, por besoj se momenti më i mirë do të vijë në të ardhmen, kuptohet të kemi shendet. Tani pa humbur modestinë, Elhamdulilah kam shijuar shumë gjëra në këtë profesion dhe pjesëmarrja në Europian padyshim se hyn në mesin e përvojave më interesante, por komplet për ndjenjën e këtij eventi mendoj se do të duhet të flasim pas europianit.
Momente dhe përvoja të paharrueshme mbeten edhe titujt me Shkendijën, pjesemarrjet në kupat e Europës, ku tre herë rresht ishim në ‘Play Off’, ndeshjet me Milanin, Tottenham, Red Bull Salzburg, Rosenborg, Gent, e të tjera, pastaj organizimi dhe udhëheqja e disa konferencave për shtyp me Spanjën, jo vetëm si zëdhënës, por edhe si përkthyes i konferencave të Spanjës, Gjermanisë, Italisë e e shumë tjera.
Disa pjesëmarrje në evente të ndryshme në UEFA dhe shumë momente tjera sigurisht se mbeten gjëra të veçanta në karrierën time. Tani na pret Europiani dhe nga vetë faza pergatitore, po flas për fushën time, natyrisht se paraqet një trajnim shumë të veçantë dhe serioz, ndërsa si shkojnë gjerat, uroj që momenti më i mirë te vijë në të ardhmen”, përfundoi Zylbehari.Vlen të përmendet se Maqedonia e Veriut ndodhet në grupin C të “Euro2020”, së bashku me Austrinë, Ukrainën dhe Holandën.Ndeshja e parë e Maqedonisë së Veriut është ndaj Austrisë të dielën nga ora 18:00, kurse më pas fqinjët do të takohen me Ukrainën me 17 qershor si dhe me Holandën me 21 qershor./GazetaBlic Sport