Ushtritë e Evropës mund të jenë të nevojshme edhe më shumë tani kur nga vjeshta do të kalojmë në dimër me rastet e reja me koronavirus në ngritje gjithandej.
Ushtarët e Batalionit të parë të Regjimentit të Yorkishire janë mësuar t’i ngasin makinat e blinduara në beteja të Ushtrisë së Britanisë së Madhe. Tani janë thirrur në një front të ri – në luftën kundër COVID-19.
Dhe ndryshe prej betejave kur duhet të bartin veshje antiplumb, tani po bartin maska dhe mburoja fytyre. Janë trajnuar që të administrojnë testet e reja të shpejta të virusit për qytetarët në hapësira publike. Madje janë mësuar edhe si të marrin mostra dhe të nxjerrin rezultatet për koronavirus brenda gjysmë ore.
Ushtarët janë në mesin e dy mijë pjesëtarëve të forcave të armatosura të cilët janë angazhuar në kuadër të programit anglez të testimeve të shpejta në qytetin verilindor, Liverpool, shkruan CNN, transmeton KOHA.
Qeveria britanike shpreson të testojë një popullsi të tërë prej pesëqind mijë banorësh brenda dhjetë ditësh. Është një skemë vullnetare e hapur për këdo që jeton dhe punon në qytet, pavarësisht nëse kanë apo jo simptoma. Dhe ky është angazhimi më i madh i ushtrisë në detyra civile në vitet e fundit.
Përderisa disa banorë mund të hezitojnë, qindra të tjerë janë rreshtuar në pritje se kur do të hapen dyert në një qendër sportive në Liverpool, që tani është kthyer në qendër testimesh për koronavirus.
Kjo nismë po synon që të sfidojë situatën brenda një kohe të shkurtër. “Varësisht prej suksesit në Liverpool do të mundohemi të shpërndajmë miliona teste të ngjashme të shpejta në shkallë vendi prej tani deri në Krishtlindje, dhe të fuqizojmë bashkësitë vendase që t’i përdorin testet për të pasur pasqyrë të qartë të shkallës së bartjes së virusit”, ka deklaruar kryeministri britanik, Boris Johnson, në ditën kur e lansoi programin ambicioz.
Frika nga kolapsi i sistemit
Projekti ka nisur të zbatohet në kohën kur Anglia tashmë ka hyrë në mbylljen e dytë të vendit. Johnsoni ka paralajmëruar për Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë (NHS) rrezikon të “kolapsojë” nëse vazhdon të ngrihet shkalla e infektimeve.
Dhe derisa Evropa po përballet me valën e dytë të rasteve me koronavirus, me shifra në ngritje alarmante në vendet që po mundohen ta frenojnë virusin me mbyllje të pjesshme e kombëtare, Mbretëria e Bashkuar nuk është i vetmi vend që ka angazhuar ushtrinë për të provuar të kufizojë shkallën e infektimeve. Edhe vendet e tjera po nxjerrin ushtrinë në rrugë në përpjekje për të mos lejuar mbingarkimin dhe dështimin e sistemeve të shëndetësisë.
Në krejt kontinentin, pjesëtarët e forcave të armatosura ka muaj që kanë nisur të marrin detyra në mbështetje të personelit spitalor në zona të testimit dhe të transportimit të pacientëve.
“Nëse shikoni në mbarë Evropën, krejt forcat e armatosura të vendeve kanë kontribuar në reagimin kombëtar kundër koronavirusit”, ka deklaruar Martin Bricknell, profesor i lëndëve të konfliktit, ushtrisë dhe mjekësisë në Kolegjin Mbretëror të Londrës, dhe anëtar i lartë i Qendrës për Zhvillim Botëror.
“Në rastin e parë, ato qenë burim i rezervës qenësore, fuqisë së organizuar njerëzore, kështu që mbështetën me logjistikë, duke përfshirë ofrimin e furnizimeve mjekësore, transportimin e ilaçeve dhe pajisjeve spitalore, dhe në disa vende edhe për transporte mallrash”, ka shtuar Bricknell, i cili ishte kirurg i përgjithshëm në Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, ku u pensionua vjet.
Spitale fushore
Ushtria ka ofruar edhe mbështetje në planifikim për pjesë të ndryshme të qeverisë, dhe krejt vendet kanë përdorur shërbimet e tyre ushtarake mjekësore për të ngritur kapacitetet shërbyese, ka treguar Bircknell.
“Disa shtete kanë hapur spitale fushore në fazat e para – veçmas Franca dhe Italia – dhe vendet e tjera kanë lejuar qasjen e qytetarëve në spitale ushtarake, ose kanë përdorur spitalet ushtarake për të trajtuar në mënyrë specifike pacientët me COVID në fillim të pandemisë kur po mundoheshin ta mbanin pandeminë nën kontroll”.
Në shtete, si Franca, Belgjika, Italia dhe Spanja, forcat e armatosura kanë trajnuar dhe ndihmuar punëtorët e kujdesit shëndetësor në infermieri dhe në shtëpi pleqsh, ka treguar Bircknell.
Dhe në fillim të pandemisë, forcat ushtarake në mbarë Evropën ndihmuan riatdhesimin e qytetarëve që kishin ngelur jashtë kufijve, tashmë të mbyllur.
“Forcat e armatosura kanë qenë burim i çmuar i fuqisë njerëzore qeveritare për zgjidhjen e problemeve të mëdha dhe zyrtarët u kanë thënë ushtarëve ‘dilni dhe zgjidhni’”, ka treguar Bricknell. “Ju keni një forcë të disiplinuar, të organizuar që mund ta dijë si kryhet puna”.
Spitalet, të mbingarkuara
Ushtritë e Evropës mund të jenë të nevojshme edhe më shumë tani kur nga vjeshta do të kalojmë në dimër me rastet e reja me koronavirus në ngritje gjithandej.
Sllovakia ka angazhuar forcat e armatosura kur testoi më shumë se 3.6 milionë qytetarë – ose dy të tretën e popullsisë – brenda një fundjave, duke përdorur teste të shpejta me antigjen, që ofrojnë rezultate brenda pak minutash.
Ushtria sllovake ishte në krye të detyrës, duke nxjerr në rrugë mbi 40 mijë pjesëtarë, përfshirë 14 mijë anëtarë të personelit mjekësor dhe mbi gjashtë mijë ushtarë të rregullt, duke kryer testime në më shumë se pesë mijë lokacione në mbarë vendin.
Qeveria e Zvicrës ka bërë të ditur gjatë javës se dy mijë e pesëqind ushtarë do të jenë në gjendje gatishmërie për të ndihmuar menaxhimin e numrit në ngritje të rasteve të shtruara në spital dhe të pacientëve të pranuar për trajtim, në vendet ku kapacitetet vendore “janë shterur”.
Dhe Belgjika, me shkallën më të lartë të rasteve të reja në Evropë, ka njoftuar se 1.500 pjesëtarë të ushtrisë do të jenë gati për të mbështetur stafin civil të mjekësisë, megjithëse deri tani janë angazhuar vetëm 100 ushtarë, ka njoftuar Ushtria e Belgjikës.
Tetëdhjetë pjesëtarë të shërbimit spitalor ushtarak janë angazhuar në qytetin Liege, ku është vendosur një njësit i emergjencave në spital me qëllim që personeli spitalor civil të shkarkohet. Njësiti mori fillimisht përsipër kontrollin dhe kujdesin e 26 pacientëve. Një ekip dhe një helikopter është ndarë vetëm për t’iu përgjigjur thirrjeve eventuale të autoriteteve civile.
Ekipet mobile të testimeve
Ushtria e Spanjës është përfshirë në përcjelljen e rasteve të kontaktit me pacientë me koronavirus, duke dezinfektuar lokacione dhe duke kryer teste. Ushtria ka marrë përsipër edhe kujdesin në disa shtëpi pleqsh.
Gjatë valës së parë të infektimeve, ushtarët spanjollë ndihmuan ndërtimin e një numri spitalesh fushore për pacientë me koronavirus, përfshirë një qendër mobile në kryeqytetin Madrid, që ishte konsideruar si spitali më i madh në Spanjë.
Në rrethana të tjera, Rusia e ka përdorur ushtrinë për teste klinike gjatë valës së parë kur Rusia shpresonte se do ta nxirrte vaksinën e parë kundër koronavirusit. Agjencia e lajmeve “Tass” ka raportuar në qershor se Ministria e Mbrojtjes e Rusisë kishte përzgjedhur pesëdhjetë vullnetarë ushtrie në mbarë vendin që të merrte pjesë në teste vaksine.
Zëvendëskryeministri rus, Tatyana Golikova, ka bërë të ditur muajin e kaluar se shërbimi ushtarak është nxjerrë edhe në rrugë për të ndihmuar gjatë reagimit kundër pandemisë në Amur, Irkutsk dhe Kurgan, si dhe në Abkhazi dhe Krime.
Në Francë, Ushtria ka nisur javën e kaluar transferimin e pacientëve me COVID në spitale në rajonet më pak të prekura, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.
Fleksibiliteti, përparësi e ushtrive
Edhe Ushtria italiane është përfshirë në drejtimin dhe menaxhimin e spitaleve fushore. Forcat e armatosura po menaxhojnë edhe spitale COVID-i dhe projekte testimesh për koronavirus. Në fundtetor, Ministria e Mbrojtjes nisi me programin e testimeve me 200 ekipe lëvizëse që kanë kryer tridhjetë mijë teste në ditë.
“Krejt shtetet në Evropë kanë reduktuar këtë zgjerim emergjencash gjatë verës”, ka bërë të ditur Bricknell. “Dhe tani kur situata po përkeqësohet edhe më shumë, atëherë shtetet e ndryshme po përdorin forcat e tyre të armatosura përsëri për të ndihmuar planifikimin e reagimit dhe kapaciteteve kundër pandemisë, sidomos kur vjen puna te testimet”.
Andaj, çfarë mund të ofrojë ushtria në reagimin civil kundër pandemisë?
Në Britani të Madhe ofron forcë të madhe, të shkathët, që është mësuar të reagojë shpejt, ka deklaruar koloneli Chris Gibson, që ofron trajnime lidershipi në bashkësinë mjekësore nëpërmjet “Staff College” dhe kompanisë së tij, “SOS Medical”.
“Zhdërvjelltësia është vërtet e rëndësishme, gatishmëria për t’u përshtatur me mjedisin e ri shpejt është aset i vërtetë pozitiv, sepse zhdërvjelltësia në Shërbimin Kombëtar të Shëndetësisë nuk është tipar dallues për të, kështu është ky shërbim”, ka thënë Gibson.
Në Liverpool, qyteti me shkallën më të lartë të vdekjeve në Angli nga koronavirusi, qytetarët shpresojnë se projekti i testimeve masive mund të kthejë sadopak normalitetin. “Spitalet tona janë ngarkuar me 90 deri në 95 për qind të kapaciteteve në shfrytëzim, andaj e dimë se duhet të ulim pak presionin dhe kështu do të jemi më pak të ngarkuar”, ka deklaruar kryetari i qytetit, Joe Anderson. “Testimi është mënyra më e mirë për ta realizuar këtë qëllim”, ka deklaruar Dillon Thomson, qytetar që po pret në radhë për testim në qendrën sportive, ku ushtria po kryen testimet. “Sa më shumë që e di se kush e ka virusin, aq më mirë për ne”.