Moti të enjten në Kosovë pritet të jetë i ndryshueshëm, kryesisht i vranët, me reshje të lehta shiu dhe intervale me diell, ndërsa vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet erërave të forta.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), temperaturat maksimale do të lëvizin nga 15 deri në 18 gradë Celsius, vlera relativisht të larta për këtë periudhë të nëntorit.
Era do të fryjë nga drejtimi jugor dhe jugperëndimor, me shpejtësi 30 deri në 45 kilometra në orë, ndërsa gjatë rafaleve mund të arrijë intensitet edhe më të lartë. Erërat më të forta priten nga mesdita deri në orët e mbrëmjes.
Reshjet e shiut pritet të jenë të lehta, me sasi lokale deri në rreth 1 milimetër brenda tri orëve. Në orët e vona të ditës parashihet kalimi i një fronti atmosferik, i cili do të ndikojë edhe në ndryshimin e drejtimit të erës, ndërsa presioni atmosferik pritet të zbresë në rreth 999 hPa.
IHMK u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes për shkak të erërave të forta, të sigurojnë objektet e lehta në hapësirat e jashtme dhe të kenë kujdes nga tabelat reklamuese e skelat e ndërtimit. Kujdes i shtuar rekomandohet edhe gjatë qarkullimit rrugor, veçanërisht në hapësirat e hapura.