Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për çështje të politikës së jashtme dhe siguris, Peter Stano, ka konfirmuar se edhe Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova që edhe pas datës 1 nëntor ta shtyjë afatin për 10 muaj shtesë për ndërrimin e tabelave të veturave.
“Bashkimi Evropian ka qënë gjithmonë i qartë – se vendimi i Kosovës për të ndërruar tabelat e regjistrimit është legjitim. Megjithatë, sipas marrëveshjes nga dialogu që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes, të arritur me 2011 dhe 2016, është me rëndësi që të sigurohet kohë e mjaftueshme për implementimin e këtij plani, dhe që ai të përgatitet dhe zbatohet në konsultime të afërta me qytetarët ndaj të cilëve ka ndikim, dhe në përputhje me praktikat e mira Evropiane”, thuhet në përgigjen e zëdhënësit të BE-së.
“Konkluzat për lirinë e lëvizjes nga viti 2016 përfshijnë një afat kohor për riregjistrim, i cili duhet të ketë edhe udhëzime. Prandaj ne në bazë të këtij procesi i kemi rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të vendosë një afat kohor prej 12 muajsh për riregjistrim. Sipas të njëjtës logjikë, tash kërkojmë nga Qeveria e Kosovës të shtyjë afatin e tashëm edhe për 10 muaj”, thuhet në përgjigjen e Bashkimit Evropian.
Sipas zëdhënësit të BE-së, një shtyrje e tillë do të mundësonte një fushatë informimi më inkluzive dhe konsultime me qytetarët përkatës. Kjo do t’i mundësonte Kosovës që t’ua lehtësojë serbëve të Kosovës në veri marrjen e kartave të identitetit dhe patentë shoferëve të Kosovës.
“Çfarëdo eskalimi i tensioneve dhe dhune potenciale në veri të Kosovës duhet të evitohet. Kjo ka rëndësi të veçantë në kontekstin momental gjeopolitik, në kontekstin e ruajtjes së stabilitetit në rajon”, thuhet nga BE-ja.
Më herët një kërkesë të tillë e ka bërë edhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriell Escobar.