Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se fenomeni i fajdesë vazhdon të jetë i pranishëm në Kosovë dhe mbetet një nga sfidat serioze për institucionet e rendit dhe sigurisë.
Hoxha bëri të ditur se që rreth dy deri në tre vjet më parë, Policia e Kosovës ka krijuar një task-forcë të posaçme, e cila ka zhvilluar dhjetëra operacione në mbarë vendin kundër veprimtarisë së fajdesë.
Sipas tij, luftimi i këtij fenomeni kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim të ngushtë jo vetëm me Prokurorinë, por edhe me institucionet e tjera relevante.
“Fajdeja është një fenomen prezent dhe ne duhet të gjejmë forma më efikase për ta luftuar. Kjo nuk mund të bëhet vetëm nga policia apo prokuroria, por përmes mbledhjes së vazhdueshme të informatave dhe bashkërendimit institucional”, ka theksuar Hoxha.
Ai ka shpjeguar se aktualisht ekzistojnë dy deri në tri forma kryesore përmes të cilave ushtrohet fajdeja në Kosovë.
Sipas tij, njëra nga format është noterizimi i marrëveshjeve mes fajdexhinjve dhe viktimave, ku këta të fundit, për shkak të gjendjes së rëndë financiare, pranojnë të legalizojnë marrëveshje të paligjshme.
Në këtë kontekst, Hoxha ka paralajmëruar ndryshime ligjore në Kodin Penal të Kosovës nga legjislativi i ardhshëm, me qëllim rritjen e efikasitetit në luftën kundër fajdesë dhe ashpërsimin e dënimeve.
Forma tjetër, sipas tij, lidhet me sallonet e shitjes së automjeteve, për të cilat Policia e Kosovës ka informacione se janë të përfshira në skema të tilla të paligjshme.
Në fund, drejtori i Policisë së Kosovës u ka bërë thirrje policëve dhe komandantëve në terren që të intensifikojnë mbledhjen e informatave lidhur me rastet e fajdesë, me qëllim parandalimin dhe goditjen efektive të këtij fenomeni kriminal. /Telegrafi