Koreja Veriore ka kërkuar që të furnizohet me vaksina kundër Covid-19 dhe pritet të marrë rreth dy milionë doza, sipas aleancës së vaksinave “Gavi”, që është pjesë e programit Covax, ndonëse ky shtet ka këmbëngulur se nuk ka asnjë rast të regjistruar.
Ky është konfirmimi i parë zyrtar që Veriu ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare. Infrastruktura mjekësore e vendit komunist shihet si shumë e papërshtatshme për t’u përballur me ndonjë përhapje të madhe të pandemisë, shkruan The Guardian.
Sipas raportit të përkohshëm të shpërndarjes, Covax do të dërgojë 1.99 milion doza të vaksinës në Korenë Veriore. Një zëdhënës i aleancës “Gavi” tha: “Të gjitha shtetet që marrin vaksina kanë dorëzuar kërkesa për pranimin e tyre.”
Ai shtoi se dërgesat e cituara në raport i pasqyrojnë vlerësimet e fundit për furnizim dhe i marrin parasysh gatishmërinë dhe miratimet e rregullatorëve të shteteve. Sipas raportit, Koreja Veriore do të marrë doza të vaksinës së AstraZenecas dhe Oksfordit, të prodhuara nga Instituti Serum në Indi.
Pjongiangu i mbylli kufijtë në fund të janarit të vitit të kaluar në përpjekje që ta parandalojë hyrjen e virusit të ri në vend.