Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë kontrolleve rutinore në hyrje të Republikës së Kosovës, zyrtarët doganorë në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Elezit, kanë zbuluar mall komercial dhe mjete monetare të padeklaruara.
Automjeti me targa të Maqedonisë së Veriut është përzgjedhur për kontroll nga zyrtarët doganorë, bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde të kontrollit. Sipas njoftimit, gjatë intervistimit fillestar, drejtuesi i automjetit ka deklaruar se nuk posedonte asnjë mall apo mjet monetar për deklarim.
Megjithatë, gjatë kontrollit fizik të automjetit thuhet se është konstatuar një sasi malli me natyrë komerciale, e cila nuk ishte deklaruar pranë autoriteteve doganore. Po ashtu, gjatë kontrollit të drejtuesit të automjetit dhe pasagjerit bëhet e ditur se janë gjetur 29,900 euro në para të gatshme, të cilat gjithashtu nuk ishin deklaruar.
“Në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-247 – Kodi Doganor dhe i Akcizave i Republikës së Kosovës, çdo person ka detyrim ligjor të deklarojë mallrat që i nënshtrohen procedurave doganore, ndërsa mosdeklarimi përbën kundërvajtje doganore dhe i nënshtrohet masave administrative dhe ndëshkuese të parapara me ligj. Gjithashtu, bazuar në legjislacionin në fuqi për kontrollin e transportit ndërkufitar të parave të gatshme, çdo person që hyn ose del nga Republika e Kosovës me 10,000 euro ose më shumë, ose kundërvlerën e tyre në valuta të tjera apo instrumente të negociueshme, është i obliguar t’i deklarojë ato tek autoritetet doganore.” – thekson Dogana.
Sipas Doganës, mosdeklarimi i mjeteve monetare përbën shkelje ligjore dhe sjell masa administrative, përfshirë konfiskimin e përkohshëm të mjeteve monetare dhe zhvillimin e procedurave përkatëse.
“Në këtë rast, malli i padeklaruar, mjetet monetare dhe automjeti janë sekuestruar për zhvillimin e procedurave të mëtejshme ligjore. Në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, ndaj palës do të ndërmerren masat e parapara, përfshirë konfiskimin e përqindjes së mjeteve monetare sipas vendimit të autoritetit kompetent dhe procedurat për kundërvajtje doganore.” – thuhet në njoftim.
Dogana e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, mbrojtjen e kufijve doganorë të Republikës së Kosovës, luftimin e tregtisë së paligjshme, kontrabandës dhe parandalimin e pastrimit të parave, duke garantuar sigurinë ekonomike dhe respektimin e legjislacionit në fuqi.