Home LAJME Distria e pandalshme në Paris, fiton të artën

Distria e pandalshme në Paris, fiton të artën

0
Distria e pandalshme në Paris, fiton të artën

Distria Krasniqi ka shkëlqyer të shtunën në kryeqendrën e Francës. Dhe në fund e fitoi medaljen e artë në Grand Slamin e Parisit, që llogaritet gara më e famshme e xhudos.

Distria ishte e pandalshme në kategorinë deri 52 kilogramë. Në arenën e famshme “Bercy”, në praninë e rreth 15 mijë shikuesve, Distria në finale e mposhti spanjollen Ariane Toro Soler. Ndaj saj tani ka pesë fitore e një humbje.

Solerin e mposhti shumë shpejt, për 27 sekonda. Ndaj saj realizoi hedhje të bukur për Ippon.

E arta e fituar të shtunën është e katërta e Distrisë në Paris. Këtë garë e ka fituar edhe në vitet 2020, 2023 e 2024. I ka po ashtu dy të argjendta e tri të bronzta. Në kryeqendrën franceze e fitoi edhe të argjendtën olimpike dhe tashmë i ka plot 10 medalje në Paris.

Si bartëse e parë e kategorisë, Distria ishte e lirë në xhiron e parë. Në të dytën e mposhti pa telashe francezen Alicia Marques. Në çerekfinale u sfidua goxha shumë nga braziliania Larissa Pimenta. Ndaj saj fitoi në kohën shtesë, duke realizuar uazari. Në gjysmëfinale, Distria e kaloi francezen Amandine Buchard, që vlerësohej rivalja më e madhe e saj në këtë garë. Ndaj Buchardit realizoi herët “Yuko”, që është pika më e vogël. Më pas e kontrolloi me sukses luftën deri në fund për vend në finale.

Të shtunën në Grand Slamin e Parisit garuan edhe pesë xhudistë të tjerë të Kosovës. Rezultatin më të mirë prej tyre e kishte Fationa Kasapi, që u rendit e shtata po në kategorinë deri 52 kilogramë.

Në debutim në Grand Slamin e Parisit, Fationa në xhiron e parë e mposhti francezen Blandine Pont, ndërsa në të dytën hungarezen Roza Gyertyas. Por u mposht në çerekfinale nga gjermania me përvojë, Mascha Ballhaus dhe më pas në repesazh edhe nga Jang Suyun e Koresë së Jugut.

Akil Gjakova ishte i lirë në xhiron e parë të kategorisë deri 73 kilogramë. Në xhiron e dytë e mposhti Otari Kvantidzen e Portugalisë. Por humbi më pas nga Manuel Lombardo i Italisë. Akilit iu dha dënimi i tretë në kohën shtesë. Trajneri i Kosovës në xhudo, kryemjeshtri Driton Kuka, ka reaguar ashpër pas dënimit të dytë dhe të tretë për Akilin, duke i vlerësuar të padrejta.

Në kategorinë deri 48 kilogramë, Erza Muminoviq u ndal në luftën e dytë, pasi e kaloi me sukses të parën. Flaka Loxha e humbi luftën e parë në kategorinë deri 57 kilogramë. Në 63 kilogramë, Laura Fazliu ishte prej bartëseve. Në xhiron e parë ishte e lirë, ndërsa në të dytën përballë e kishte Gili Sharirin e Izraelit. Pas një lufte prej 14 minutave, gjyqtari ua dha dënimin e tretë të dy xhudisteve, që ndodhë rrallë në xhudo. Kështu të dyja u suspenduan dhe nuk avancuan tutje.

Por, falë Distrisë, Kosova sërish fitoi medalje në Paris.

Të shtunën luftërat janë zhvilluar në katër tatami të ndryshëm, si në asnjë garë tjetër. Pjesë e garës në Paris janë 488 xhudistë nga 78 vende të ndryshme. Është gara e parë e vitit në Turin Botëror të Xhudos.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here