Kosova është një prej shteteve të Ballkanit Perëndimor me raporte jashtëzakonisht të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë Prishtina zyrtare ende s’ka arritur të avancojë nivelin e bashkëpunimit me Uashingtonin në atë që amerikanët po e quajnë “Dialogu Strategjik”, gjë që kanë arritur ta bëjnë Shkupi dhe Tirana zyrtare.
Në një përgjigje për express nga Departamenti Amerikan i Shtetit kanë konfirmuar se ende s’është arritur marrëveshje me Kosovën për fillimin e “Dialogut Strategjik”.
Amerikanët thonë se nisjen e një bashkëpunimi të tillë janë duke e shqyrtuar me një numër të madh shtetesh megjithatë për Kosovën potencojnë se aktualisht s’kanë ndonjë informacion specifik.
Derisa theksojnë se në mes të SHBA-së dhe Kosovës ka një raport shumë të ngushtë dhe bashkëpunim në një numër të madh fushash.
“Ekziston një lidhje shumë e ngushtë dhe e fortë në mes të SHBA-së dhe Kosovës dhe ne bashkëpunojmë në një gamë të gjerë temash. Ne jemi duke konsideruar Dialogët Strategjik me një sërë vendesh por s’kemi ndonjë informacion specifik apo detaje të tjera në këtë kohë”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit në pyetjet se “pse s’ka filluar ende “Dialogu Strategjik” në mes të SHBA-së dhe Kosovës” dhe “nëse ka kushte që një vend duhet t’i plotësojë për të filluar dialogun strategjik”.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës “Dialogun Strategjik” e kanë nisur me një numër të konsiderueshëm shtetesh. Nga rajoni i Ballkanit Perëndimor janë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të cilat kanë arritur të futen në një nivel të tillë të bashkëpunimit me shtetin më demokratik në botë.
Shefi i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në takimin që ka pasur në fillim të muajit qershor të këtij viti me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ka njoftuar për fillimin eDialogut Strategjik në mes të SHBA-së dhe shtetit të tij.
“Kënaqësi të takohem me Sekretarin Blinken në Uashington. Dialogu Strategjik si një moment historik i ri në marrëdhëniet tona dhe përmirësimi i partneritetit strategjik në mes të Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së. Mirënjohje për mbështetjen e përgjithshme të SHBA-së në rrugën tonë drejt BE-së”, kishte shkruar Osmani duke theksuar se si vend aleat në NATO i bën thirrje Rusisë që të ndal agresionin ndaj Ukrainës.