Ish-komandanti i lartë i NATO-s, Gjenerali Wesley Clark, ka thënë se përvoja e mëparshme në Ballkan tregon se manastiret serbe janë përdorur si strehë e nacionalizmit serb.
Pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, nga sulmues serbë të uniformuar e armatosur të cilët u strehuan në Manastirin e këtij fshati, Clark në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka thënë se shpreson që KFOR-i do të insistojë që manastiret serbe në Kosovë të inspektohen.
Sipas Clarkut, i cili ka drejtuar fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, ajo që është më shqetësuese është se pas incidentit në Banjskë, ka rezultuar se kishte një grumbullim të madh armësh në manastirin serb. Ai ka thënë se kjo ka ndodhur edhe më parë.
“Ne e dimë nga përvoja e mëparshme në Ballkan në vitet 1990, dhe që atëherë se manastiret serbe kanë qenë strehë e nacionalizmit serb. Dhe kjo nuk e përjashton përdorimin e tyre si arsenale. Ndaj kjo është gjëja më shqetësuese. Shpresoj që KFOR të insistojë që këto manastire të inspektohen dhe arsenalet të konfiskohen, sepse nuk ka vend për këtë në mes të përpjekjeve për të arritur marrëveshjen e autonomisë për qytetarët serbë të Kosovës. Është kundërproduktive dhe nuk ka vend për kërcënime me dhunë dhe armë”, është shprehur Clark.
Sipas tij armatimet ka të ngjarë të kenë ardhur nga Serbia dhe ai ka thënë se ndoshta ky ka qenë një veprim i koordinuar ose të paktën i miratuar në heshtje nga forcat speciale serbe.
Duke folur për mundësinë e përfshirjes së nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, në këtë sulm, ai ka thënë kjo është një dëshmi e mëtejshme e përfshirjes së qeverisë serbe.
“Incidenti tregon për rrezikshmërinë që mund të ketë zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Incidenti është tregues i një lidhje me Serbinë, vendosjen e një shteti policor ushtarak që mund të përbëjë një rrezik të konsiderueshëm shkatërrimi brenda Kosovës. Serbët që morën pjesë në sulm duhet të sillen para drejtësisë sipas të gjitha rregullave të legjislacionit të Kosovës. Mendoj se NATO-ja duhet të forcojë aftësitë e saj për të qenë në mënyrë efikase kudo në Kosovë. Nëse është e nevojshme të kontrollojë manastiret serbe nëse në to strehohen individë ndaj të cilëve janë vënë sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Përse një individ i tillë duhet të jetë udhëheqës i një partie politike në Kosovë? Si mund të lejohet kjo? Zoti Thaçi, ndaj të cilit janë ngritur akuza, është ende në burg në Hagë. Pra, duhet të ketë një masë mirëkuptimi nga të dyja palët për sundimin e ligjit në Kosovë”, është shprehur ai.
Sipas Clarkut KFOR-i duhet të veprojë me forcë kundër dhunës në Kosovë, kudo qoftë apo ndaj palëve që ushtrojnë dhunë. Kjo është arsyeja pse KFOR ndodhet atje.
Ai gjithashtu ka thënë se këto veprime në Kosovë nuk janë të palidhura me dhunën në Ukrainë.
“Për Rusinë, nxitja e trazirave në Kosovë, duke përdorur Serbinë si agjent të saj do të ishte ekuivalenti i një sulmi të thellë të luftës hibride. Rusia do të dëshironte të shihte paqëndrueshmëri më të madhe në Ballkan, një shpërqendrim për NATO-n, me pretekstin se demokracia nuk funksionon. Gërryerja e pavarësisë së Kosovës do të ishte në interes të Moskës. E gjitha është pjesë e një agjende që po ndiqet nga të paktën disa elementë në Beograd”, ka theksuar Clark.
Ai ka thënë se është për të ardhur keq, por ajo që ndodhi në veri, nuk do ta çojë përpara dialogun. “Shtetarët e arsyeshëm nga të dyja palët duhet të thonë se kjo duhet të ndalet. Është koha për ta njohur Kosovën, të shkohet përpara dhe të vendoset paqja në rajon”, është shprehur Clark.