Kosova Press / Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti bën të ditur se parashikimet e BQK-së për këtë vit janë që norma e rritjes ekonomike për sivjet të jetë 6.6 për qind. Ai shton se lehtësimi i masave anti-COVID që ndodhen gjatë vitit 2021, bëri që të ketë një rritje të ndjeshme ekonomike në vend.
Mehmeti vlerëson se bashkatdhetarët që kanë ardhur këtë verë në Kosovë, kanë shpenzuar mbi 630 milionë euro, teksa tregon se remitencat kanë arritur në 651 milionë euro.
Guvernatori Mehmeti deklaroi se Qeveria ka një qasje serioze për anëtarësimin e Kosovës në Kartonin e Gjelbër, por që fillimisht sfidë mbetet numri i madh i automjeteve të paregjistruara në Kosovë.
Përveç Kartonit, sfidë tjetër mbetët edhe shfrytëzimi i platformës së internetit për pagesa elektronike “Paypal”, ngase kjo e fundit nuk e njeh Kosovën shtet.
Duke folur për rritjen ekonomike, Mehmeti thotë se në vitin 2020, Kosova kishte një rënie ekonomike 3 përqind për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
“Masat e ndërmarra për parandalimin e pandemisë COVID-19 sikurse në gjithë botën, ashtu edhe në Kosovë ndikuan ose afektuan dukshëm në aktivitetin ekonomik në Kosovë, kështu që viti 2020 në terma real, sipas të dhënave që i kemi, kemi një rënie ekonomike 3 përqind. Mirëpo, relaksimi i masave që ndodhen gjatë vitit 2021, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet nga vijnë diaspora, bëri që të kemi një rritje të ndejshme ekonomike në vend. Dhe parashikimet tona janë që rritja ekonomike në Kosovë do të jetë 6.6 përqind, edhe pse është subjekt i rishikimit, duke pasur parasysh, deri në fund të vitit se si rrjedh çështja që ka të bëjë me pandeminë, duke pasur parasysh që burim i krizës në Kosovë dhe në nivel global është pandemia dhe jo faktor të tjerë ekonomik. Gjithçka lidhet me pandeminë”, theksoi Mehmeti.
Sipas tij, remitencat nga bashkatdhetarët kanë shënuar rritje 24 përqind, derisa shpenzimet e tyre deri në korrik ishin 140 përqind më shumë se vitin paraprak.
“Lehtësimi i kufizimeve të lëvizjes të bashkatdhetarëve nga vendet që vijnë në Kosovë del që të kemi ardhje të shumë bashkatdhetarëve dhe që të kemi një rritje të konsiderueshme të shpenzimeve jo-rezidente, që ne i quajmë shpenzime të diasporës, të cilat me të dhënat e korrikut, që i kemi ne në dispozicion shënojnë 630 milionë euro apo me një rritje nëse e krahasojmë mbi baza vjetore del të jetë 140 përqind. Por, edhe nëse e krahasojmë me vitin 2019, kemi një rritje rreth 7 përqind. Remitencat vazhdojnë të jenë në rritje, shënojnë 651 milionë euro apo me një rritje vjetore 24 përqind”, theksoi ai.
Ardhja e diasporës, sipas Mehmetit, ndikoi edhe në rritjen e importit të mallrave në mbi 40 përqind, teksa shton se është rritur edhe vlera e eksporteve në 476 milionë euro, ose 63 përqind më shumë.
“Kjo ka bërë të kemi edhe rritje të kërkesave të brendshme në Kosovë gjë që ka quar në rritjen e importit në përqindje rreth 43.4 përqind, duke arrit vlerën 2.9 miliardë euro. Por, gjithashtu kemi edhe rritje të eksporteve, shprehur në përqindje rreth 63.4 përqind ka rritje të eksporteve që ka arrit vlerën 476 milionë euro. Kjo ka bërë që të thellohet edhe më tutje deficiti tregtar që ka arrit në 2.44 miliardë euro apo me një rritje vjetore prej 40 përqind”, thekson Mehmeti.
Guvernatori ka folur edhe për rritjen e çmimeve në vend, teksa thotë se inflacioni ka shënuar rritje nga 0.2 në 1.6 përqind, ndërsa investimet e huaja, Mehmeti thotë se kanë arrit 271 milionë euro.
“Sa i përket inflacionit nga 0.2 përqind sa ishte një vit më herët, ka shkuar në 1.6 përqind dhe gjithashtu edhe investimet e huaja direkte kanë shënuar rritje nga 201 milionë sa ishin vitin 2020, kanë arrit 271 milionë. Por, kryesisht kemi rritje të investimeve të huaja direkte në sektorin e patundshmërisë, shprehur në përqindje i bie diku rreth 80 përqind në këtë sektor. Ndërkaq, investimet e huaja direkte në shërbimet financiare mbesin të njëjta me vitin e kaluar”, thotë ai.
Guvernatori Mehmeti ka treguar edhe mënyrën e fitimit të bankave në gjysmën e parë të këtij viti që kanë shënuar 55 milionë euro.
“Me të dhënat e qershorit, diku rreth 55 milionë euro është fitimi i bankave. Bankat vazhdojnë ta ruajnë atë normën e profitit që realisht e kanë ndër vite dhe realisht kjo nuk është si rezultat i rritjes së normave të interesit, por si rezultat i menaxhimit më të mirë të shpenzimeve ose zvogëlimit të shpenzimeve që bankat janë duke i bërë. Tash, një gjë çka ne e kemi jo vetëm si Kosovë, por edhe në nivel global se edhe prej krize del diçka e mirë. Që në rastin konkret, ne kemi qenë shumë të kujdesshëm në lëvizjen e digjitalizimit të sektorit bankar. Mirëpo, pandemia bëri që ky proces të përshpejtohet. Tash lëvizja drejt digjitalizimit ka bërë që të ulëte kosto, të rritet efikasiteti për klientë, por gjithashtu edhe për bankat”, thotë ai.
Sa i përket sektorit të sigurimeve, Mehmeti thotë se ky sektor ka arrit të konsolidohet dhe të jetë profitabil. Në anën tjetër guvernatori shton se për t’u anëtarësuar Kosova në Kartonin e Gjelbër duhet të ulet numri i automjeteve të paregjistruara që ka arrit në 30 përqind.
Mehmeti ka thënë po ashtu se janë në pritje të kompletimit të bordit të BQK-së që nuk është funksional tash 15 muaj.
Mehmeti shtoi se për të pasur Kosova qasje në sistemin e pagave elektronike në “Paypal”, kërkohet koordinim ndër institucional, teksa thekson se BQK-ja ka marrë iniciativë në këtë drejtim, përkundër që platforma e internetit “Paypal”, nuk e njeh Kosovën si shtet.
Sa i përket institucioneve mikrofinanciare dhe financiare jobankare po ashtu, Mehmeti thotë se ka institucione të tilla, të cilat e kanë statutin e OJQ-së, teksa shtoi se këto funksionojnë si institucione financiare bazuar në legjislacionin në fuqi.
Mehmeti e thotë me përgjegjësi të plotë, se nuk ka asnjë problem sa i përket zbatimit të ligjit që ka të bëj me fushën që ndërlidhet me rregullimin dhe mbikëqyrjen e këtyre institucioneve financiare.
Në këtë sektor kreditë kanë arrit deri 220 milionë euro, me një rritje vjetore 5-7 për qind, përkundër që normat e interesit në këtë sektor mbesin të larta.