Policia e Kosovës është duke kryere bastisje në një objekt të Bankës Popullore të Serbisë në qendër të Leposaviqit dhe në Drejtorinë e Thesarit të Ministrisë së Financave të Serbisë që gjendet po ashtu në Leposaviq, ka njoftuar për KOHËN zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veriun Veton Elshani.
Elshani ka thënë se bastisja po kryhet me urdhër të gjykatës së Mitrovicës së Veriut. Në vendin e ngjarjes janë krimet ekonomike dhe zyrtarë policorë të Kosovës të rajonit veri.
Elshani tha se dyshohet për “pastrim të parave”.
“Me urdhër të Gjykatës në Mitrovicë të Veriut po kryhet bastisje në lokalet e Bankës Popullore të Serbisë dhe Drejtoria e Thesarit të Ministrisë së Financave të Serbisë në Leposaviq. Po ndërmerren veprime të lidhura me dyshimet për pastrim të parave, vazhdimësi e rastit të shpëlarjes së parave që ka pasur të bëjë me bankat më herët”, tha Elshani.
Ai tha se nuk ka të arrestuar.
“Rasti po hetohet dhe po mbledhim dëshmitarë që janë aty derisa policia po kryen kontrolle”, tha Elshani./KOHA/