David Hooper, avokat i ish-presidentit Hashim Thaçi e ka komentuar paralajmërimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Hagës, Jack Smith se ish-drejtori politik i UÇK-së mund të dënohet me burgim të përjetshëm.
Në një kërkesë parashtruar Gjykatës Speciale për lirimin me kusht të Thaçit, avokati britanik e ka bërmendur edhe paralajmërimin e Smithit për burgim të përjetshëm. Ai ka thënë se kjo është e gabuar dhe se është përdorur vetëm si mjet për ta arsyetuar paraburgimin, raporton Gazeta Express.
“Thirrja e ZPS-së për seriozitetin e akuzave “të cilat mund të sjellin një dënim me burgim të përjetshëm” pasi krijon një “nxitje të fortë për të mos u gjykuar”, është e gabuar. Kjo do të lejonte ZPS-në ta justifikonte paraburgimin duke ngarkuar seriozisht krimet pavarësisht nga aftësia e saj për të provuar përfundimisht kryerjen e tyre. Pritja e një dënimi të gjatë nuk mund të qëndrojë kundër një të akuzuari ‘in abstracto’, duke pasur parasysh që të gjithë të akuzuarit para DHSK-së, nëse dënohen, ka të ngjarë të përballen me dënime të gjata. As graviteti i veprave penale, në vetvete, nuk mund të justifikojë periudha të gjata të ndalimit ose paraburgimit”, thuhet në kërkesën e Hooper për lirimin me kusht të Thaçit.





