Tre persona janë arrestuar në një aksion të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, nën dyshimin për përfshirje në krim të organizuar, mashtrim dhe shpëlarje parash.
Gjatë operacionit të zhvilluar në Prishtinë dhe Fushë Kosovë janë kontrolluar katër lokacione, ndërsa janë sekuestruar 19 vetura dhe pasuri të tjera.
Sipas komunikatës së përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, aksioni është realizuar të mërkurën më 25 nëntor 2026, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale.
Në operacion kanë marrë pjesë hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, njësi të tjera hetuese, Njësia Speciale FIT dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Të arrestuarit dyshohen për veprat penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar, mashtrimit dhe shpëlarjes së parave.
Sipas hetimeve fillestare, tre të dyshuarit dyshohet se përmes sistemeve kompjuterike, komunikimeve elektronike dhe telefonike kanë kontaktuar persona të ndryshëm, kryesisht shtetas të huaj, duke i bindur të investojnë në platforma të rreme investimi.
Në komunikatën e përbashkët thuhet se ata dyshohet se viktimat “i kanë vënë në lajthitje dhe i kanë nxitur të investojnë në platforma të rreme investimi, duke i shtyrë të ndërmarrin veprime në dëm të pasurisë së tyre”.
Gjatë kontrolleve në katër lokacionet janë gjetur dhe sekuestruar: 19 vetura; 1 motoçikletë; 6 telefona; 5 kompjuterë; 6 USB; 4 mijë e 95 euro para të gatshme; 11.28 gramë substancë e dyshuar narkotike; dhe dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin.
Sipas njoftimit, vlera e pasurisë së sekuestruar raportohet të jetë mbi një milion euro.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë ndërmarrjen e veprimeve hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit”, thuhet në komunikatë.