Policia e Kosovës dhënë detaje lidhur me arrestimin e dy personave në Prizren për veprën penale të fajdesë.
Sipas Policisë, të dyshuarit janë V.H., 49-vjeçar dhe D.E., 37-vjeçar nga fshati Randobravë.
V.H. është arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të fajdesë, detyrimit dhe mbajtjes së paautorizuar të armëve ndërsa D.E. është arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të dhënies së ndihmës pas kryerjes së veprës penale.
“Të dyshuarit dyshohet se kanë ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj viktimës, duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij dhe duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Gjatë operacionit policor janë kontrolluar dy lokacione në fshatin Randobravë/Prizren, ku janë sekuestruar dëshmi materiale të rëndësishme për rastin.” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, më 30.09.2026.
Tutje kuptohet se pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit, ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe ata janë dërguar në qendrën e mbajtjes në Prizren.
Për këtë rast bëhet e ditur se në këtë operacion policorë kanë qenë të angazhuara duke bashkëpunuar Sektori Rajonal i Hetimeve të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prizrenit me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Prokurorinë Themelore në Prizren.
Policia në Prizren ka potencuar se po vazhdon luftën kundër fajdesë me veprime konkrete dhe përkushtim ndërsa kanë theksuar se bashkëpunimi i qytetarëve me Policinë dhe organet e drejtësisë është faktor vendimtar në luftën kundër fajdesë, detyrimit dhe veprimtarive tjera kriminale.
Policia në fund i ka ftuar të gjithë qytetarët, viktima apo dëshmitarë, që të mos hezitojnë të raportojnë rastet pranë Policisë ose Prokurorisë.