LAJME

Arabia Saudite zgjeron vizat turistike, përfshihet edhe Kosova

Arabia Saudite zgjeron vizat turistike, përfshihet edhe Kosova
TV Prizreni
TV Prizreni
6 Tetor 2026, 13:57

Arabia Saudite ka zgjeruar skemën e vizave turistike duke përfshirë qytetarët e Kosovës dhe Guajanës, të cilët tashmë mund të aplikojnë për vizë elektronike ose ta marrin atë në mbërritje në pikat e hyrjes në Mbretëri.

Ministria e Punëve të Jashtme e Arabisë Saudite njoftoi se Republika e Kosovës dhe Republika Kooperative e Guajanës i janë shtuar listës së vendeve, qytetarët e të cilave përfitojnë nga procedurat e thjeshtësuara për marrjen e vizës turistike.

Viza u mundëson udhëtarëve të vizitojnë Arabinë Saudite për qëllime të ndryshme, përfshirë turizmin, pjesëmarrjen në ngjarje, ekspozita dhe konferenca, transmeton Telegrafi.

Sipas ministrisë saudite, mbajtësit e vizës mund ta përdorin atë gjithashtu për të kryer Umren, si dhe për të vizituar të afërmit dhe miqtë në vend.

Zgjerimi i skemës është pjesë e përpjekjeve të Arabisë Saudite për të hapur vendin ndaj një numri më të madh vizitorësh ndërkombëtarë dhe për të thjeshtuar procedurat e hyrjes.

Rijadi synon gjithashtu t’ua lehtësojë turistëve pjesëmarrjen në kalendarin gjithnjë e më të pasur të ngjarjeve, si dhe vizitat në atraksionet turistike dhe kulturore të vendit.

Në vitet e fundit, Arabia Saudite ka investuar ndjeshëm në zhvillimin e sektorit të turizmit, si pjesë e strategjisë për diversifikimin e ekonomisë dhe reduktimin e varësisë nga nafta, duke synuar tërheqjen e miliona vizitorëve të huaj. /Telegrafi

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika