Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje që të luftohet femicidi, në adresimin e saj drejtuar qytetarëve për Vitin e Ri 2023.
Në një videoadresim të dërguar të shtunën për media, ajo ka thënë se kjo çështje duhet të trajtohet si emergjencë kombëtare.
“Sot s’mund të mos flas edhe për dhimbjen e përjetuar e të mos përmend ata që s’janë më në mesin tonë. Dua të kujtoj gratë e vajzat që u bënë viktimë e femicidit, fenomenit të tmerrshëm që duhet ta luftojmë të gjithë së bashku. Keqtrajtimi i grave në shoqërinë tonë e mbarë botën po shndërrohet në epidemi. Prandaj duhet ta trajtojmë si emergjencë kombëtare. Në këtë përpjekje kemi nevojë për angazhimin e të gjithëve, politikanëve, institucioneve të drejtësisë, sigurisë, punëtorëve socialë, aktivistëve të shoqërisë civile e mediave. Duhet të shndërrohet në kauzën tonë të përbashkët. Lufta për barazi gjinore duhet të jetë lufta jonë e çdoditshme”, ka thënë Osmani në adresimin e saj.





