Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në Dragash, ka folur edhe për situatën e fundit politike.
Në kuadër të cilkit debatues e diskutues me qytetarë, Abdixhiku në Dragash ka thënë se në kohë të zhvillimeve të ndjeshme politike, Qeveria e Kosovës duhet të trajtojë me kujdes relacionet me partnerët e përhershëm dhe strategjikë, SHBA-të dhe BE-në.
“Institucionet e vendit duhet t’i trajtojnë me ndjeshmëri të lartë rekomandimet dhe kërkesat e miqve tanë. Sjellja me arrogancë ndaj kërkesave të partnerëve tanë, dëmton interesat strategjike të vendit dhe mund të prodhojë pasoja afatgjata në rrugëtimin tonë politik. Siç na mëson e shkuara, këto marrëdhënie janë fundamentale për të fituar një pozicion më të mirë ndërkombëtar për vendin tonë si dhe për të ndjekur synimet tona strategjike”, ka thënë ai.





