Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka zhvilluar një takim me Këshillin Grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), të cilët janë ende në grevë për mos plotësimin e kërkesave të tyre nga Qeveria e Kosovës.
Abdixhiku pas takimit në një prononcim për media tha se padrejtësitë që po ju bëhen grevistëve s’kanë vend në Kosovë.
Ai tutje shtoi se ka nevojë për dialog në mënyrë që nxënësit t’i kthehen bankave shkollore.
“Kam dëgjuar kërkesat e tyre dhe u kam shprehur qëndrimet tona. Dialogu mes Sindikatave të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës është imperativ, pra është bazë e funksionimit shoqëror demokratik të Kosovës. Kemi nevojë për dialog, kemi nevojë për mirëkuptim në mënyrë që nxënësit tanë të kthehen sa më parë në shkollat tona, por edhe mësimdhënësve tanë në të gjitha nivelet ti kthehet dinjiteti që e meritojnë. Gjëja e fundit që konsiderojmë që është e domosdoshme tani është penalizmi i mësimdhënësve tanë në këtë krizë të rëndë ekonomike”, ka thënë ai.
Abdixhiku po ashtu tha se si LDK kanë ngritur dyshimet e tyre për ndërprerjen e pagave për grevistët, përcjell Telegrafi.
“Gjithashtu kemi ngritur dyshimet tona serioze se si është e mundur që për kushte në muajin gusht, që nuk ka pas pasoja në sistemin arsimor të ndërpritet pagesa në fjalë, pra është dënim jo ligjorë. Siç dhe kemi ngritur shqetësimet tona që po bëhet një dënim tërësisht kolektiv i mësimdhënësve në nivel të Kosovës, pa paragjykuar betejën gjyqësore që palët do të bëjnë”, tha tutje ai.
Ai po ashtu shtoi se si LDK i kuptojnë dhe mirëkuptojnë kërkesat e mësimdhënësve.
“Kthimi në bankat shkollor të nxënësve është i domosdoshme. Do ta ngrisim zërin në Kuvend që këto padrejtësi të pakuptimta s’kanë vend në shtetin tonë”, tha Abdixhiku.
Ndërsa, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj u shpreh se situata në të cilën janë nuk është e mirë, pasi siç tha ai humbësit më të mëdhenj janë nxënësit.
Ai kërkoi nga partitë opozitare që të ju ndihmojnë që përmes autoritetit të tyre të shkojnë në qeveri për të dialoguar, raporton Telegrafi.
“Letra ju kemi dërguar edhe partisë në pushtet si opozitës, dhe ta shfrytëzojnë autoritetin e tyre pozitiv që të vijmë deri te një dialog me qeverinë, dialog i munguar plotësisht. Bashkimi i këtyre sindikatave po bëhet me të vetmin qëllim të mirë që të ulemi e të bisedojmë me qeverinë për të gjet një zgjidhje”, tha ai duke shtuar se “Qeveria do ta shtyp zërin sindikal. Ndërkohë që po shkojmë në dimër, mësuesit duhet të përgatiten si dhe një kafshatë bukë po kërkojnë…Na ndihmoni për dialog”, ka thënë Jasharaj.
Jasharaj gjithashtu ka thënë se ka marr një telefonatë nga zyra e presidencës, të cilët e kanë pyetur nëse dëshiron të takohet me presidenten Osmani.
Jasharaj u shpreh se ka pranuar të takohet me presidenten dhe se është në pritje që zyra e saj ta thërras në takim.
“Kam marr një telefonat nga kabineti i saj, dhe më kanë pyetur ‘a jeni që të takoheni me presidenten’ pa na dhënë një datë të saktë. I kemi thënë që po, jemi në pritje kur të na thërrasin. Po urojmë dhe don Zoti që dialogu i mirëfilltë të filloj dhe ajo të bëj një hap të mirë”, ka thënë Jasharaj. /Telegrafi/