Me fjalinë “Si nuk u ngopët kurrë”, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku nisi kundërpërgjigjen ndaj dy bashkëpartiakëve të tij që udhëheqin me degët e kësaj partie në Pejë e Lipjan, të cilët më 23 qershor i kërkuan dorëheqjen pas rezultatit zgjedhor të 7 qershorit.
Një kërkesë e tillë, Abdixhiku vlerëson se do të duhej të bëhej ballë për ballë dhe jo përmes mediave.
Ai pajtohet që rezultati në këto dy degë nuk është i kënaqshëm, njësoj sikurse e thanë edhe të dy kryetarët e degëve.
“Pajtohem që rezultati në këto dy degë nuk është i kënaqshëm. Në komuna ku kemi qeverisje, të dalim të tretët tregon vetëm dozën e një sabotimi të thellë dhe të një projekti që nuk është i LDK-së”- ka shkruar Abdixhiku.
Ai thotë se për performancën e dobët në këto dy degë, rezultatin më të ulët ndër vite, pret dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë.
“Anëtarësia jonë, për mua, ka folur qartë. Por, për performancën e dobët në këto dy degë, rezultatin më të ulët ndër vite, pres dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë. I pranoj menjëherë”-tha ai duke e kujtuar se i kërkonte Kuvendit të LDK-së ta shqyrtojë dorëheqjen e tij, më 31.01.2026.
Kreu i LDK-së thotë se siguron anëtarësinë e gjerë të LDK-së se nuk do të lejojë, që projektet e ndarjeve të LDK-së nga sabotues të qëllimshëm të marrin formë.
Sipas Abdixhikut, partia që ai udhëheq nuk është konfederatë e interesave lokale e as platformë e karrierave individuale.
Mirëpo, siç thekson, LDK mbetet parti nacionale, e vetes, e askujt tjetër; sidomos e asnjë partie tjetër.