Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë të përbashkët për media kanë vlerësuar se Ligji për pagat dhe ai për Zyrtarët Publikë kanë qenë të domosdoshme për reformë rrënjësore në administratën publike, që sipas tyre, nga dita e enjte do të janë në konsultim publik.
Kryeministri Kurti tha se me këto dy ligje do të eliminohen padrejtësitë dhe diskriminimi, që përmes nivelizimit të pagave, ulen dallimet në mes të profesioneve dhe të pozitave.
“Jemi zotuar që synim kyç kemi krijimin e një sistemi të njëtrajtshëm për përcaktim të pagës që do të sigurohemi ta përcaktojmë parimin bazë për caktim të koeficienteve, që do të përcaktohen kushtet për përfitim ta pagës sekondare dhe se do të vendoset barazi për zyrtarët e bazuar në parimet e ligjshmërisë, transparencës dhe të parashikushmërisë. Për të gjitha ata që shqyrtojnë këto dy projektligje, se kjo është një reformë rrënjësore e sistemit të pagave në sektorin publik dhe një reformë për modernizim të administratës publike. Për gjatë hartimit të tyre, Ministria e Punëve të Brendshme bashkë me Ministrinë e Financave janë përkujdesur që në përcaktimin e të drejtës në pagë të aplikohet një sistem uniform dhe I vlefshëm për të gjithë punonjësit në mënyrë që të eliminohen padrejtësitë dhe diskriminimi, që përmes nivelizimit të ulen dallimet në mes të profesioneve dhe të pozitave”, theksoi ai.
Kryeministri Kurti nuk bëri të ditur vlerën e koeficienteve për pagat.
“Sot nuk mund të flas për vlerat e koeficienteve sepse diskutimi fillon nesër në mëngjes. Teknikisht është duke u përmbyllur gjithçka”, theksoi Kurti.
Ndërsa, ministri Sveçla tha se qeveria dhe MPB-ja janë angazhuar me synime të qarta: Drejtësi, barazi, llogaridhënie dhe transparencë për të gjithë.
“Qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme janë angazhuar me synime të qarta në konceptimin e dy projektligjeve; Drejtësi e barazi, llogari e transparencë. Ka pasur shumë kualifikime e etiketime jo të përshtatshme për kohë e procedimit të këtyre projektligjeve, por kemi vlerësuar se është më I rëndësishme se çdo afat ai sistem që duhet përmirrua në shërbimin ndaj qytetarëve dhe për pagesat e secilit zyrtarë publik në Kosovë”, theksoi ai.
Sveçla njoftoi se për këto dy projektligje, nga dita e enjte do të jenë në konsultim publik, brenda të cilës kohë të gjithë do të kenë mundësinë që të adresojnë çdo koment apo sugjerim lidhur me këto dy projektligje.