Të premten në Kosovë do të qëndrojë sërish i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Gjatë kësaj vizite ai kësaj radhe do të shoqërohet nga dy këshilltarë të sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për dialogun.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se qëllimi i vizitës është “të eksplorohen opsionet për përparimin në dialog”.
Vizita bëhet pas letrës që kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron ia kanë dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se për Kosovën vendim i madh është marrëveshja finale me njohjen reciproke.
Në një letër dërguar Kurtit dhe Vuçiqit, dy udhëheqësit kryesorë të BE-së u bënë thirrje atyre që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat do të sjellin përparim në dialog.
“Normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor”, thuhej, mes tjerash, në letër.
Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, qëndruan në Kosovë dhe Serbi edhe në fund të gushtit.
Pas angazhimeve të tyre diplomatike, dy vendet arritën marrëveshje për lëvizjen e lirë të qytetarëve, përkatësisht për heqjen e dokumenteve hyrëse/dalëse.
Serbia, për më shumë se një dekadë, ka lëshuar dokumente të posaçme për qytetarët e Kosovës, që kanë hyrë në territorin e saj.