Greva e paralajmëruar nga Bashkimi i Sindikatave të Kosovës, do të fillojë nesër, ndërsa është paralajmëruar se do të zgjas deri në realizimin e kërkesave të tyre.
E lidhur me grevat e sindikatave, për FrontOnline kanë folur nga Qeveria e Kosovës.
Në një përgjigje me shkrim nga Qeveria thonë se kërcënimi me paralizim të institucioneve dhe shërbimeve publike tash që Ligji për Paga është proceduar, është gabim.
“Pas procedimit për konsultime paraprake të Ligjit për Paga nga MPB, kërkesë kjo e kamotshme sindikaliste, paralajmërimit për grevë i ka humbur kuptimi. Kërcënimi me paralizim të institucioneve dhe shërbimeve publike tash që Ligji për Paga është proceduar dhe kushtëzimi me kërkesa shtesë është gabim”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë për FrontOnline.
Tutje nga Qeveria thonë se është koha që sindikatat t’i bëjnë gati komentet e tyre për Ligjin për Paga dhe atë për Zyrtarë Publik kur ai të del në konsultime publike dhe jo të hyjnë në grevë.
“Nuk është koha për greva. Është koha që sindikatat të bëjnë gati komentet e tyre për Ligjin për Paga dhe atë për Zyrtarë Publik kur ai të del në konsultime publike. Ne i duam sindikatat jo spektatore, por pjesëmarrëse. Me këto dy ligje për herë të parë po vendosim rregull, strukturë dhe hierarki në sistemin e pagave dhe po i hapim rrugë avancimit të administratës publike”, bëjnë të ditur nga Qeveria.
Ndërsa të pyetur se a do të realizohen kërkesat e sindikatave, për ndarjen e 100 eurove çdo muaj për të gjithë punëtorët e sektorit publik deri në miratimin e Projektligjit të pagave, nga Qeveria nuk kanë kthyer përgjigje.
Nga Qeveria për grevën e sindikatave thonë se janë për dialog social pa kërcënime e ultimatume, derisa theksojnë se disa sindikata kanë udhëheqësi të re dhe duhet të ketë emancipim të ndërsjellë./Front Online/