Të mërkurën e 17 gushtit, duke iu referuar situatës energjetike në Kosovë, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka marrë vendim për themelimin e Komitetit Teknik Emergjent (KTE) që përbëhet nga përfaqësues të të gjithë institucioneve relevante të energjisë.
Ky komitet ka për qëllim hartimin e rekomandimeve për minimizimin e pasojave nga kriza energjetike.
Në mbledhjen e parë të Komitetit Teknik Emergjent është rekomanduar që me qëllim të mbulimit të konsumit për këtë situatë të krijuar, KEK t’i ofrojë Operatorit të Sistemit të Distribucionit(KEDS) energjinë e siguruar, sipas kushteve të parapara në Marrëveshjen për Furnizim me Shumicë(MFSH).
Komiteti teknik ka si qëllim që të identifikojë ndikimin e mundshëm në situatën emergjente të furnizimit me energji, operimit dhe likuiditetit në tregun e energjisë, menaxhimin e situatës, si dhe rekomandimin e mënyrave të minimizimit të efekteve negative si në furnizim ashtu edhe në treg gjatë situatës emergjente.
Komiteti Teknik Emergjent përbëhet nga përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Po ashtu përbëhet edhe nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE), Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, Korporata Energjetike e Kosovës, Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), Operatori i Sistemit të Distribucionit (KEDS) dhe Furnizuesi i Shërbimit Universal (KESCO). /telegrafi/