Analisti amerikan, Edward P. Joseph ka thënë se nisma “Open Balkan” minon “Procesin e Berlinit” dhe i jep më shumë fuqi ekonomike dhe politike Serbisë.
Ambiciet nacionaliste serbe janë shqetësuese, thotë ai në një intervistë për Deutsche Welle.
“Anëtarët e Senatit të SHBA-së sapo kanë prezantuar legjislacionin për Ballkanin, që përfshin propozimin për “vlerësimin e nismave bashkëpunuese rajonale, siç janë nisma “Open Balkan” dhe “Tregu i Përbashkët Rajonal i Ballkanit Perëndimor”. Rreziqet e “Open Balkan” nuk janë kuptuar mirë, edhe pse ato janë të qarta për shumë njerëz në Ballkan. Po, unë kam shërbyer për rreth 12 vite në rajon, duke përfshirë vitet e luftës në të gjitha vendet e konflikteve. Si shumë të tjerë në rajon, unë vërej dinamikë e zhvillime, veçanërisht në diskursin e nacionalizmit të “Serbisë së Madhe”, të çuar përpara nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe të deleguarit e tij, nën flamurin “Bota Serbe”.
“Nisma “Open Balkan” (ose “Open Balkans”) nuk është vetëm një shpërqëndrim nga problemet thelbësore të rajonit – të cilat janë politike – por në fakt është një rrezik që mund të çojë në përkeqësimin e këtyre problemeve politike. Problemet e “Open Balkan(s)” mund t’i përmbledhim në këtë formë: “teori e dyshimtë, strukturë naive dhe pasoja të rrezikshme”, tha ai.
Tutje Joseph thotë që sipas tij, thelbi është se nisma në vetvete – pavarësisht motiveve ose qëllimeve “është shumë problematike”.
“E kam shprehur edhe më herët se pse Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e pranojnë “Open Balkan”: sepse ato nuk kërcënohen drejtpërdrejt nga ambiciet nacionaliste serbe, të shpërfaqura nga Vuçiç. “Bota serbe” nuk ka të bëjë me Shqipërinë ose Maqedoninë e Veriut. Në mënyrë ekstravagante, Vuçiq u thotë maqedonasve se ai nuk e sfidon gjuhën e tyre (siç bëjnë bullgarët), por Vuçiq mbështet përpjekjet që minojnë identitetin e Malit të Zi. Është e qartë si kristali: nacionalizmi serb është kërcënim për malazezët, jo për maqedonasit, edhe pse këta të fundit e kuptojnë mjaft mirë se si “Open Balkan(S)” do ta përforcojë nacionalizimin serb të Vuçiq”. /klankosova.tv/