KFOR-i ka konfirmuar se situata në veri të Kosovës është e tensionuar.
Në një komunikatë të lëshuar nga KFOR-i është thënë se është duke monitoruar nga afër situatën dhe është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti.
“Situata e përgjithshme e sigurisë në komunat veriore të Kosovës është e tensionuar. Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO po e monitoron nga afër situatën dhe është i përgatitur të intervenojë nëse stabiliteti rrezikohet, në përputhje me mandatin e vetë, që vjen nga Rezoluta 1244 e Kombeve ë Bashkuara. KFOR-i është plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij të OKB-së për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për gjithë popullin e Kosovës”, është thënë në komunikatë.
Është thënë se komandanti i KFOR-it është në kontakt me gjithë bashkëbiseduesit kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe shefin e Shtabit të Mbrojtjes së Serbisë.