Më shumë se një muaj pasi u bë publik opinioni i Komisionit të Venecias që rekomandoi që ndryshimet kushtetuese duhet të konsiderohen vetëm për verifikim të integritetit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka dalë me qëndrim. Në një deklaratë për media të shtunën, ky këshill ka vlerësuar qëndrimin që verifikimi të bëhet përmes mekanizmave të brendshëm. Ndërkaq ka thënë se nuk do të mbështesë e as s’do të marrë pjesë në grupet punuese për cilëndo iniciativë për ndryshime kushtetuese “që ka për qëllim themelimin e mekanizmave jashtë sistemit prokurorial për verifikimin dhe kontrolle të integritetit”.
KPK-ja ka thënë se propozimet e Komisionit të Venecias ofrojnë platformë orientuese për fuqizimin e sistemit prokurorial përmes mekanizmave të brendshme. Sipas KPK-së, opinioni i Venecias rekomandon për qasje të kujdesshme sa i përket “çdo iniciative, propozimi apo referomë të pamenduar dhe analizuar mirë”.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës, duke iu referuar përgjigjes së dërguar Komisionit të Venecias për Konceptdokumentin e Ministrisë së Drejtësisë për ‘Vetting’ dhe në frymë të njëjtë me qëndrim e shprehur nga Komisioni i Venecias në Opinion e saj, vlerëson se ndërmarrja e masave dhe veprimeve të çakorduara do t’i bëjë dëm vështirë të sanueshëm tërë sistemit prokurorial dhe, rrjedhimisht, do të shkaktojë zvarritje të procedurave, të cilat pashmangshëm do t’ia pamundësojnë qytetarëve të vendit një qasje efektive në drejtësi”, thuhet në qëndrim të KPK-së.
“Në vend të një iniciative që rrezikon mbarëvarshmërinë e punës së sistemit prokurorial dhe zhvlerëson tërë punën dhe investimin e bërë në forcimin e sistemit prokurorial”, KPK-ja ka ftuar Ministrinë e Drejtësisë të intensifikojë punën e përbashkët për avancimin e reformave e të konceptohen nisma të reja për konsolidim të sundimit të ligjit.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës, riafirmon qëndrimin dhe qasjen, e cila me këtë Opinion të Komisionit të Venecias veçse është përforcuar, se adresimi i sfidave në sistemin prokurorial dhe përmirësimi i vazhdueshëm i performancës, duhet të bëhet me anë të nismave ligjore dhe politikave zhvillimore të koordinuara mirë për t’i fuqizuar edhe më tej mekanizmat e brendshme të verifikimit, llogaridhënies, performancës dhe transparencës. Nismat e panevojshme, të pakoordinuara, me një racionalizim jo të mirëfilltë, të cilat mëtojnë ndërhyrje invazive në punën dhe pavarësinë e sistemit prokurorial nuk do të mbështeten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës”, ka thënë KPK-ja.
KPK-ja ka thënë po ashtu se është e përkushtuar të avancojë reformat e nisura e është zotuar për qasje proaktive në zbatimin e strategjive kombëtare. Ka thënë se s’do të marrë pjesë në takimet për iniciativat për ndryshime kushtetuese.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës, nuk mbështet dhe nuk do të marrë pjesë në grupet punuese për cilëndo iniciativë për ndryshime Kushtetuese që ka për qëllim themelimin e mekanizmave jashtë sistemit prokurorial për verifikim dhe kontrolle të integritetit, pasi që kjo mund të sigurohet brenda një kohe të arsyeshme me anë të mekanizmave të brendshme të KPK-së, të cilët duhet të jenë përhershëm”, thuhet në reagim.
Ky këshill ka thënë se do të japë kontributin në iniciativat ligjore për forcimin e mëtejmë të mekanizmave të brendshëm, ndërsa ka shtuar se për çfarëdo iniciativë ligjore për fuqizim të këtyre mekanizmave, KPK-ja duhet të ketë rol udhëheqës.
“KPK, ashtu siç është theksuar në Opinionin e Komisionit të Venecias, konsideron se mund të ndërmerren masa, veprime dhe reforma të cilat në mënyrë komulative do ta arrijnë qëllimin për një sistem prokurorial më efektiv, llogaridhënës dhe transparent pa e cenuar pavarësinë e institucionit. KPK-ja, dëshiron ta vë theksin në Opinionin e Komisionit të Venecias që potencon rrezikun e cenimit të pavarësisë së gjyqësorit, të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare, në rast të ndryshimeve Kushtetuese për administrim të procesit të ‘Vettingut’ në sistemin gjyqësor”, thuhet në reagim.
Këshilli Prokurorial ka thënë se do të vazhdojë reformën, ndërsa ka shtuar se do të formojë komisione ad-hoce e grupe punuese që rekomandimet e nxjerra nga Opinioni i Komisionit të Venecias të përfshihen në draft-dokumentet për prokuroritë e nismat e reja.
Në fund të qershorit Komisioni i Venecias publikoi opinionin për vetting në Kosovë. Ky komision rekomandoi ndryshime legjislative që do të përmirësonin sistemin aktual të verifikimit të zyrtarëve në drejtësi, në veçanti për deklarimin e pasurisë dhe forcimin e njësive të vettingut brenda Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial. Ndërsa, vetting, me ndryshime kushtetuese, ka thënë se mund të bëhet vetëm për krerët në sistemin të drejtësisë – kryeprokurorët dhe kryetarët e gjykatave.
Edhe pas publikimit të opinioneve, KPK-ja kishte refuzuar të merrte pjesë në grupet punuese për çështje të vettingut. /koha.net/