Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se janë gjetur baktere të gjalla mbi normat e lejuara dhe Streptokoke me prejardhje fekale në ujin e pijes së fshatit Gorancë të Hanit të Elezit ku qindra qytetarë morën trajtime për shkak të ujit.
“Nga aspekti mikrobiologjik në mostrën e ujit të marrë në fshatin Seqishtë janë prezente numri i tërësishëm i baktereve të gjalla, ndërsa në mostrën e ujit të marrë në fshatin Gorancë janë prezente numri i tërësishëm i baktereve të gjalla mbi normat e lejuara dhe Streptokoke me prejardhje fekale. Nga mostrat e fecesit të rasteve simptomatike janë izoluar E.coli Enteroaggregative (EAEC) dhe Norovirus GI/GII”, thotë IKSHPK.
Përndryshe, brenda 24 orëve të fundit janë paraqitur 34 raste në AMF-në e fshatit Gorancë, dhe 13 raste në QKMF-në e Hani Elezit. Të gjitha rastet ishin nga fshati Gorancë dhe kishin simptomatologji të njëjtë me: ethe, temperaturë, kokëdhimbje, mundim, vjellje dhe barkqitje.