Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shkarkuar ambasadorët e pesë vendeve, përfshirë edhe atë të Gjermanisë, Andriy Melnyk.
Ambasadorët e Ukrainës në Gjermani, Indi, Republikën Çeke, Norvegji dhe Hungari, nuk janë të vetmit për të cilët ka marrë vendim presidenti ukrainas që të largohen, dekretet presidenciale të shpallura të shtunën, tregojnë se edhe disa të dërguar të tjerë të lartë të huaj janë shkarkuar, ka shkruar të shtunën “New Delhi TV”.
Në këto dekrete nuk bëhen të ditura arsyet për largimin e tyre, po ashtu nuk dihet nëse të dërguarve do t’u jepen vende të reja pune.
Gazeta gjermane Bild raportoi në fillim të javës se Melnyk do të largohej nga Berlini dhe do të merrte një post tjetër në Ministrinë e Jashtme në Kiev.
Pas këtij vendimi, Zelensky me anë të një video-mesazhi ka njoftuar se emrat e përfaqësuesve të rinj të Ukrainës janë duke u përgatitur nga Ministria e Punëve të Jashtme.