Shinzo Abe mund të mos jetë më kryeministër i Japonisë, mirëpo është ende figurë e rëndësishme në jetën publike japoneze e ndoshta edhe politikani më i njohur japonez në tri dekadat e fundit. Kush do të dëshironte ta vriste Aben? Dhe pse?
BBC – Qëkur lajmet u përhapën për vrasjen e ish-kryeministrit, Shinzo Abe, këtë mëngjes, mesazhe pafund kanë ardhur nga miqtë e rrethi duke bërë të njëjtën pyetje: Si mund të ndodhte kjo në Japoni?
Në fakt, të njëjtën pyetje ia drejtova edhe unë vetes. Kur jeton këtu mësohesh të mos mendosh për krimet e dhunshme. Identiteti i viktimës vetëm sa e bën lajmin akoma më tronditës.
Shinzo Abe mund të mos jetë më kryeministër i Japonisë, mirëpo është ende figurë e rëndësishme në jetën publike japoneze e ndoshta edhe politikani më i njohur japonez në tri dekadat e fundit. Kush do të dëshironte ta vriste Aben? Dhe pse?
Po përpiqem të mendoj për një ekuivalent – akt tjetër dhune politike që do të ishte po aq tronditës për popullatën vendase. Krejt çka më bie ndërmend është vrasja e kryeministrit suedez, Olaf Palme, në vitin 1986.
Kur them se njerëzit nuk e mendojnë krimin e dhunshëm këtu, nuk po e ekzagjeroj.
Po, ekziston “Yakuza”, banda e famshme e krimit të organizuar në Japoni. Ama shumica e njerëzve nuk kanë kurrë kontakt me këtë bandë. Edhe “Yakuza” u shmanget armëve, ngaqë për dënimet që merren për posedim të armëve thjesht nuk ia vlen.
Të mbash armë në Japoni është jashtëzakonisht e vështirë. Kërkon të mos keni dosje kriminale, të keni trajnim të detyrueshëm, vlerësim psikologjik e hetime të detajuara për të kaluarën, duke përfshirë marrjen në pyetje të fqinjëve nga policia.
Si rrjedhojë, krimi me armë praktikisht nuk ekziston këtu. Mesatarisht, ka më pak se 10 vdekje që lidhen me armë çdo vit në Japoni. Në vitin 2017 ishin vetëm tri raste.
Nuk është aspak për t’u habitur që shumica e vëmendjes është përqendruar te personi i armatosur dhe arma që e ka përdorur.
Kush është ai? Nga e mori armën? Mediat japoneze kanë raportuar se 41-vjeçari është ish-pjesëtar i forcave vetëmbrojtëse të vendit, i barabartë me një ushtar.
Megjithatë, një hetim i hollësishëm tregon se ai kishte kaluar vetëm tre vjet në marinë. Arma që kishte përdorur ishte diçka fort interesante. Fotografitë e armës përtokë tregojnë se duket si armë e krijuar në shtëpi. Dy copa tubi çeliku të mbërthyera së bashku me shirit të zi e me një lloj këmbëze të punuar me dorë. Duket tamam si diçka që është mësuar nga interneti.
Pra, a ishte ky sulm i qëllimshëm politik apo akt i dikujt që fantazonte, dikush që donte të bëhej i famshëm, duke qëlluar dikë të famshëm? Deri më tani nuk e dimë.
Japonia sigurisht ka pasur pjesën e saj të vrasjeve politike. Më e famshmja ishte në vitin 1960, kur lideri i partisë socialiste të Japonisë, Inejiro Asanuma, u godit me thikë në bark nga një fanatik i krahut të djathtë që përdorte një shpatë samurai. Edhe pse ekstremistët e krahut të djathtë ekzistojnë ende në Japoni, Abe, nacionalist i krahut të djathtë, do të ishte cak i pamundur.
Vitet e fundit kemi parë që një lloj tjetër krimi të bëhet më i zakonshëm këtu. Burri i qetë e i vetmuar me mëri ndaj dikujt ose diçkaje.
Në vitin 2019, një burrë ia vuri zjarrin një ndërtese ku gjendej një studio e njohur animacioni në Kioto, duke vrarë 36 njerëz. Për policinë, burri kishte pretenduar se kishte inat me studion pasi ia kishin “vjedhur punën”.
Në një rast tjetër në vitin 2008, një i ri i pakënaqur voziti kamionin mes turmës së blerësve në lagjen “Akihabara” të Tokios, e më pas doli dhe filloi t’i godiste me thikë kalimtarët. Shtatë persona u vranë.
Para se të kryente sulmin ai kishte postuar një mesazh në internet duke thënë: “Do të vras njerëz në Akihabara” dhe “Nuk kam as edhe një shok, jam injoruar, sepse jam i shëmtuar. Jam më i keq se plehrat”.
Nuk është ende e qartë nëse sulmi ndaj Shinzo Abes përshtatet në kategorinë e parë apo të dytë. Por duket qartë se atentati do ta ndryshojë Japoninë.
Duke pasur parasysh sa e sigurt është Japonia, siguria këtu është shumë e qetë. Gjatë fushatave zgjedhore, si ajo në vazhdim, politikanët qëndrojnë lirshëm në qoshet e rrugëve duke mbajtur fjalime dhe duke i shtrënguar duart me blerësit dhe kalimtarët.
Kjo është edhe arsyeja pse sulmuesi i ish-kryeministrit Abe ishte në gjendje të afrohej kaq shumë dhe të qëllonte me armën që e kishte bërë vetë.
Kjo me siguri do të ndryshojë pas ditës së sotme.
(Rupert Wingfield-Hayes është korrespondent i BBC-së në Tokio)