Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, në emisionin “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se janë 275 biznese që si aktivitet e kanë shitjen online dhe që gjatë vitit të kaluar kanë realizuar rreth 10 milionë euro qarkullim.
Megjithatë, ai theksoi se ka edhe evazion fiskal nga faqe të ndryshme që merren me shitblerjen online.
“Dihet tashme sidomos pas pandemisë d.m.th në vitin 2020/21, realisht ka krijuar një momentum të ri ku fenomeni i shitjeve online është zgjeruar në masë të konsiderueshme në gjithë andej botës, edhe te ne në Kosovë. Kjo ka bërë që ky aktivitet të jetë rritet nga dita në ditë. Nga sistemi ynë elektronik dëshmojnë se bazuar në atë se kodet siç janë të regjistruara si biznese diku gjatë vitit të kaluar kanë qenë rreth 250 biznese të tilla, të cilat si aktivitet kanë shitjet online, ndërsa gjatë pjesës së parë të vitit do të thotë është rrit ky numër rreth 275 dhe se kanë një qarkullim të konsiderueshëm, ku gjatë vitit të kaluar kemi pas diku rreth 10 milionë euro qarkullim nga kjo kategori e bizneseve”, ka thënë Murtezaj
Por sipas tij, kjo nuk nënkupton që ky është i gjithë qarkullimi përmes këtyre bizneseve.