Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë Hoti me çka edhe zyrtarisht vendin e çon drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme, ka gjetur vendin në këtë fundvit pa miratimin e Projektbuxhetit për vitin 2021.
Vetë kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, Bashkimi Evropian dhe komuniteti i biznesit kanë kërkuar që të votohet buxheti para se vendi të shkojë në zgjedhje.
Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti ka thënë se, nuk duhet të filloj viti 2021 pa miratimin e Projektbuxhetit.
“Presim nga të gjitha grupet parlamentare pa asnjë përjashtim. Jemi në një situatë tani specifike, në prag të zgjedhjeve, nuk është mirë të hyhet më në janar pa buxhet të miratuar. Një draft-buxhet i përgatitur në mënyrë më të mirë mundshme është në Kuvend. Le të urdhërojnë grupet parlamentare nëse kanë sugjerime të ndryshme për të bërë ndryshime në atë draft buxhet dhe ta miratojnë”, kishte deklaruar Hoti, përcjell Telegrafi.
Po ashtu, Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për miratimin e buxhetit përpara zgjedhjeve të reja parlamentare.
“Është posaçërisht e rëndësishme që buxheti për vitin 2021 të miratohet dhe kalohet nga kjo përbërje e Kuvendit, sa më parë që të jetë e mundur”, ka thënë BE-ja.
Edhe zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi kishte kërkuar që të votohet buxheti për vitin 2021, pasi sipas tij, bllokada buxhetore do të prodhojë situatë të bllokadës së pagesave për sektorin publik nga muaji mars 2021.
Ai ka shtuar se do të pësonte jo vetëm sektori publik por edhe ai privat dhe tërë sistemi ekonomik në mungesë të financave publike.
“Praktikat e deritanishme të zgjedhjeve kanë treguar se mund të kemi vonesa në procesin e konstituimit të Kuvendit dhe votimit të Qeverisë, po që se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare mbahen në fillim të vitit 2021. Kjo për faktin se ka shumë gjasa që vendi të mbetet pa këto Institucione në tremujorin e parë të vitit 2021 dhe si kanë treguar zgjedhjet e fundit këto vonesa mund të marrin edhe disa muaj shtesë përtej tremujorit të parë të vitit 2021”, kishe njoftuar Krasniqi.
Lidhur me votimin e buxhetit, komunitetit të biznesit, ka thënë se buxheti është parakusht për krijimin e pakos së re dhe zbatimin e masave për rimëkëmbje ekonomike, respektivisht mbështetje të bizneseve të prekura nga pandemia COVID-19.
Sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, në mungesë të një Ligji për Ndarjet Buxhetore do të vlenin vetëm për dy muajt e parë të vitit 2021 nëse zgjedhjet e përgjithshme për deputetët e Kuvendit janë mbajtur më pak se katër muaj para fillimit të vitit përkatës fiskal duke siguruar një ndarje buxhetore për çdo organizatë buxhetore, që është e barabartë me 16.67 për qind të ndarjes buxhetore nga Ligji i Ndarjeve Buxhetore të vitit 2020.
Pas kësaj periudhe vetëm Kuvendi, me anë të një vendimi, mund të autorizojë zgjatjen e Ligjit për Ndarjet Buxhetore të vitit të kaluar fiskal edhe për muajin mars.
Ligji për Ndarjet Buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të zgjatet për më shumë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.
Sipas projektimeve, buxheti për vitin 2021 pritet të jetë mbi 2.4 miliardë euro. /