Shumë banorë të fshatrave Kobaj, Vlashnje dhe Murademë, janë duke u ankuar se janë në hall nga hajnat, duke thënë së kohëve të fundit ka rritje enorme të rasteve të vjedhjeve në vendbaninet e tyre, raporton TV Prizreni
Ata po dyshojnë se hajnat mund të jenë nga fshatrat e tyre, për këtë ata po ftojnë bashkëfshatarët të mbrojnë familjet dhe pasurinë tyre dhe po kërkojnë nga institucionet përgjegjëse konkretisht nga policia që të intensifikojë patrullimet në këtë lokalitet.
Sipas informatave të siguruara nga famijet e dëmtuara që kanë qenë cak i vjedhjeve, thuhet se struktura mirë e organizuar e hajnave kohëve të fundit kanë kryer dhjetëra vjedhje të rënda.
Për vetëm dy ditët e fundit (mbrëmë dhe parambrëma) disa familje janë plaçkitur nga hajnat në Murademë dhe Kobaj, ndërsa para një jave në një shtëpinë Vlashnje janë vjedhur rreth 10 mijë euro para dhe gjësende me vlerë.
Banorët thonë se policia po merret me hetimin e rasteve të vjedhjeve, por që çuditërisht personat e dyshyar për vjedhje po lëvizin lirshëm dhe të pa “trazuar” nga “shteti”, ndërkohë që lirinë e tyre ata po e shfrytëzojnë edhe më shumë për të dëmtuar pasurinë dhe rrezikuar jetët e familjeve të këtyre fshatrave./tvprizreni.net