Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë tha se do ta shqyrtojnë nismën për anëtarësim të Kosovës në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave apo Konventën e Parisit.
Kurti para kabinetit qeveritar tha se me anëtarësimin e Kosovës bëhet faktorizimi në skenën ndërkombëtare përmes prezantimit të burimeve njerëzore.
“Ne po ecim përpara me reformat në drejtësi dhe ekonomi, po ecim përpara me nisma të tjera që kanë për qëillim promovimin e Kosovës, një të tillë do ta shqyrtojmë tani në mbledhjen e qeverisë, atë për anëtarësimin e Kosovës në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave, apo aderimin në Konventen e Parisit që ka për qëllim përfundimtar faktorizimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare përmes prezantimit të burimeve njerëzore, kulturore dhe potencialeve ekonomike si dhe avantazheve për investime në vendin tonë”, tha ai në mbledhjen e qeverisë.
Kurti foli edhe për investimet e huaja. Ai tha se investimet e huaja në Kosovë janë duke u rritur.
Kurti duke folur për ardhjen e mbi 50 sipërmarrës nga Gjermania që po qëndrojnë në Kosovë, ka se Kosova ofron potenciale të mira për investime të huaja.
Kurti përsëriti se Kosova ka rritjen më të madhe ekonomike në rajon, shkruan Reporteri.net.
“Mëngjesin e sotëm takova me një grup prej 50 ndërmarrësish nga Gjermania. Ne kemi rritjen më të madhe ekonomike në rajon e demokracinë më cilësore në rajon. në Kosovë kemi fuqi punëtore të re dhe të talentuar si dhe mërgatën më patriotike. Pa dyshim se këto e shndërrojnë vendin tonë në një vend ku ia vlen të investohet. Investimet në vendin tonë tashmë po vijnë e po shtohen. Krahasuar me vitin 2020, në vitin 2021 kemi pasur rritje të investimeve të huaja direkte prej 22 përqind.
Ne po ecim përpara me reformat në drejtësi e e ekonomi, si krijimi i Gjykatës Komerciale”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë./Reporteri.net