Vetëm tre deputetë kanë marrë pjesë në votimin për formimin e komisionit për energjinë dhe të tri votat ishin abstenim, në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës, ndonëse në sallë në momentin e votimit ishin të pranishëm 61 deputetë.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se ky është rezultati më i çuditshëm që ka marrë ndonjëherë.
“Kanë votuar vetëm 3 deputetë dhe ata kanë abstenuar. Nuk ka pasur kuorum për themelimin e këtij komisioni me këtë përmbajtje”, ka thënë Konjufca.
Pas një debati të gjatë mes pushtetit e opozitës rreth formimit të komisionit, kryetari Konjufca ka kërkuar nga grupet parlamentare që të propozojnë emra për përbërjen e komisionit.
Lëvizja Vetëvendosje dhe grupi multietnik nuk kanë propozuar emra, derisa Lista Serbe nuk ishte e pranishme në sallë.
Pas dështimit të votimit, Konjufca ka thënë se seanca do të vazhdojë të premten, në orën 10:00.