Gjatë javës nga mediat u raportua se ekipet negociatore të Kosovës dhe Serbisë janë afër për të arritur dy marrëveshje, atë për energji dhe të pagjeturit.
Kjo nuk është konfirmuar nga zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano.
Por, Stano në një përgjigje për Klankosova.tv tha se po punohet në organizimin e takimit të ardhshëm të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.
“Kryenegociatorët diskutuan edhe çështje të tjera aktuale, duke përfshirë zbatimin e marrëveshjeve të kaluara dhe përgatitjen e terrenit për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë. Diskutimet edhe për këto tema do të rifillojnë në ditët në vijim”.
Ai foli edhe rreth dështimit të arritjes së një marrëveshje mes dy vendeve për targat, duke thënë se grupet punuese i kishin provuar të gjitha zgjidhjet sipas standardeve të BE-së.
Zëdhënësi i BE-së theksoi se deri në një zgjidhje të përhershme do të zbatohet regjimi i ngjitjes së stikerave në targa.
“Javën e kaluar, Grupi i Punës për targa përfundoi punën e tij duke eksploruar të gjitha opsionet për një zgjidhje të përhershme të çështjes së targave bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. BE shpreh keqardhjen që nuk është arritur asnjë marrëveshje për çështjen e targave mes dy kryenegociatorëve. Duke qenë se nuk ka marrëveshje për një zgjidhje të përhershme, regjimi i ngjitësave vazhdon të zbatohet”.
Tutje në përgjigje thuhet se Bashkimi Evropian i fton palët të përmbahen nga ndonjë veprim të njëanshëm që do të komplikojë përparimin në dialog.
“BE-ja, si lehtësues, fton kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë që të takohen sërish në ditët në vijim në Bruksel për të rënë dakord për rrugën përpara drejt gjetjes së një marrëveshje. BE-ja dhe Komuniteti Ndërkombëtar presin që të dyja palët të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili mund të rrezikojë sigurinë në terren dhe të komplikojë përparimin e mëtejshëm në dialog”.