Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Artan Qerkini, vlerëson se është duke u zvarritur procedura ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërkohë kritikoi Prokurorinë për vonesë në dorëzimin e provave.
Qerkini u shpreh se prokuroria ka zhvilluar hetime edhe para themelimit të gjykatës, andaj sipas tij, ka pasur kohë të mjaftueshme për finalizimin e hetimeve.
“Procedura është duke u zvarritur, nuk ka pasur nevojë që prokuroria të vonohet kaq shumë në dorëzimin e provave të mbrojtjes sepse dihet që mbrojtja nuk mund t’i fillojë hetimet e veta pa e marrë gjithë dosjen të cilën e ka në dispozicion prokuroria”, thotë Qerkini.
Avokati deklaroi se për vonesën e prokurorisë duhet të reagojë gjyqtari i procedurës paraprake dhe sipas tij, t’u vendosë palëve afate për veprimet e tyre procedurale, të cilat do të ishin në funksion të shpejtësisë së procedurës.
“Gjyqtari i procedurës paraprake duhet të kontrollojë veprimet e prokurorisë që t’i sanksionojë në një mënyrë ose tjetrën neglizhimet që është duke i bërë prokuroria me rastin e dorëzimit të provave, të përcaktojë afate strikte dhe të përcaktojë po ashtu se nëse prokuroria nuk i dorëzon provat brenda afatit të caktuar, atëherë ato prova të mos pranohen sepse ne e dimë se gjykimi zhvillohet për të zbuluar të vërtetën pro janë disa nene, disa parime që e favorizojnë gjykimin brenda afatit të arsyeshëm dhe detyra e gjyqtarit të procedurës paraprake është të gjejë një balancë mes vërtetimit të fakteve me relevancë dhe gjykimit brenda një afati të arsyeshëm”, thotë ai.
Përveç vonesave nga ana e prokurorisë, Qerkini vlerëson se ekipeve mbrojtëse u janë krijuar edhe vështirësi të tjera të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në punën e tyre në teren.
“Mbrojtja duhet të dijë identitetin e dëshmitarit, këtë po e them për faktin se mbrojtja nuk mund ta sfidojë me sukses kredibilitetin e dëshmitarit nëse nuk e di se kush po dëshmon. Kjo thjesht e cenon edhe një prej parimeve fundamentale të procedurës penale që është barazia e ‘armëve’ në procedurë, sepse prokuroria po e di identitetin e dëshmitarit ndërsa mbrojtja nuk po e di identitetin e dëshmitarit edhe pse kjo është e një rëndësie substanciale për dhënien e një mbrojtje efektive”, thotë Qerkini.
Në rastin paragjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve deri tani janë mbajtur disa konferenca mbi ecurinë e çështjes.
Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi po qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020 dhe mbi ta rëndojnë akuza nën pretendimin për krime lufte.
Përveç këtij rasti i cili është në procedurë paraprake, në Dhomat e Specializuara në Hagë është drejt fundit procesi gjyqësor ndaj Salih Mustafës.
Artan Qerkini vlerëson se seancat e mbyllura dhe redaktimet e shumta kanë pamundësuar që të përcillet në tërësi ky proces.
“Ka pasur shumë seanca private, seanca të mbyllura për publikun dhe në ato seanca të mbyllura për publikun ne nuk kemi pasur qasje dhe për rrjedhojë nuk mund të formojmë bindjen tonë se çka ka ndodhur në ato seanca, ka pasur shumë redaktime dhe këto po ja pamundësojnë opinionit që ta përcjellë gjykimin dhe vet opinioni të ketë një përshtypje të vet në lidhje me faktin se a është provuar fajësia apo jo dhe për këtë arsye mendoj që opinioni ka mbetur i hendikepuar që ta përcjellë rastin e Salih Mustafës në tërësinë e tij”, thotë ai.
Në Gjykatën Speciale është në procedurë paraprake edhe rasti ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala, për të cilin prokuroria pretendon të ketë kryer krime lufte.
Në pritje të një aktgjykimi janë ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinajt të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë. \KSP